Shqipëria

Dy ratifikime marrëveshjesh mes MB-së dhe Shqipërisë – që nga ripranimi i personave deri te transferimi i të dënuarve


Në seancën e 16 dhjetorit, dy ministrat, ai i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe i Drejtësisë, Ulsi Manja, paraqitën para Kuvendit të Shqipërisë, dy marrëveshje që pritet të ratifikohen.

Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me qeverinë britanike do të rinovojnë dakordësimin mbi dy pika shumë të rëndësishme.

Ministri i Brendshëm kërkoi fillimisht nga deputetët që të miratojnë marrëveshjen mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, mbi disa çështje ligjore.

Në fokus të marrëveshjes së parë në rendin e ditës, ishte pikërisht riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë, nga kostoja e transportit, te mbrojtja e të dhënave personale etj.

Gjithashtu, në të përfshihet edhe kthimi i emigrantëve të paligjshëm.

Sipas zyrtarit shqiptar, kjo do të rrisë bashkëpunimin në fushën e emigracionit të paligjshëm.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi

Kjo, sa i takon parandalimit të çdo linje kriminale që mund të bëhet në këtë drejtim.

“Kjo marrëveshje vjen si propozim i Britanisë në kuadër të daljes nga Bashkimi Evropian (BE), në pajtimin e legjislacionit mes dy shteteve”, deklaroi ai para kuvendit.

Manja

Manja, do të deklaronte gjatë fjalës së tij në kuvend, se marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar mbi transferimin e personave të dënuar do të rrisë besueshmërinë e Shqipërisë në fushën juridiksionale.

Sipas Manjës, ky dakordësim përmirëson kushtet dhe rregullat e transferimit të burgosurve mes të dyja shteteve.

“Shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi të vuajnë dënimin e tyre në Shqipëri”, ravijëzoi zyrtari shqiptar.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Manja kujtoi se marrëveshja e fundit është ratifikuar në vitin 2013.

Por, implementimin i saj ka qenë i pamundur për shkak të sistemeve të ndryshme ligjore.

Kjo marrëveshje, vijon Manja, rregullon ato aspekte procedurale.

“Në marrëveshjen e re janë përcaktuar procedurat që ndiqen nga shtetet kontraktuese, vazhdimin e dënimit dhe të drejtat e trajtimit të personave të dënuar”, u shpreh më tej ai.

Takimi në Britani

Të hënën e 29 nëntorit, Çuçi do të takohej me homologen e tij britanike, Priti Patel.

Në fokus ishte lehtësimi i hetimeve të krimeve.

Kjo, falë një marrëveshjeje të radhës mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

Palët do të binin dakord për ndarjen e të dhënave të ADN-së me qëllim – forcimin e ligjit mes dy vendeve.

“Shqipëria është një partner kyç në luftën ndaj disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi, që nga emigrimi i jashtëligjshëm deri te krimi i organizuar”, shkruante Patel në Twitter pas takimit.

Sipas sekretares britanike, kjo ujdi do të ndihmonte të dy vendet në përshpejtimin e hetimeve ndaj krimit.

Takimi në Shqipëri

Gjatë një udhëtimi dyditor në Shqipëri në muajin korrik, Patel do të takohej me kryeministrin Edi Rama.

Temat e diskutimit përfshinin përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar krimin e rëndë të organizuar, përfshirë trafikimin e drogës dhe krimin e imigracionit.

Për Patel, kriminelët, si dhe ata që nuk arrijnë të marrin azil nga Shqipëria do të përballeshin me një kthim më të shpejtë në vendin e tyre.

Kjo, nën një marrëveshje të re pas Brexit që sigurohej nga Priti Patel mbrëmjen e 8 korrikut.

Marrëveshja do ta bënte më të lehtë deportimin e shkelësve të dënuar.

Marrëveshja e re erdhi pas shqetësimit në rritje për numrin e shtetasve të huaj në burg në Angli dhe Uells.

Një në tetë të burgosur është shtetas jo-britanikë, ose 9 mijë 850 persona nga 78 mijë që gjenden prapa hekurave.

Zyrtarët britanikë thanë se kjo do të ‘forconte rregullimet ekzistuese që Mbretëria e Bashkuar (MB) ka, për të larguar shtetasit shqiptarë që nuk kanë të drejtë të jenë në MB’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore