Shqipëria

Shqipëria dhe Britania ndajnë të dhënat e ADN-së, Çuçi-Patel firmosin marrëveshjen e radhës


Hetimet e krimeve do të lehtësohen edhe më shumë falë një marrëveshjeje të radhës mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, mbi ndarjen e të dhënave të ADN-së për qëllim forcimin e ligjit, mes dy vendeve.

Ishte ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, ai i cili zhvilloi një takim me homologen e tij britanike, Priti Patel, të hënën e 29 nëntorit.

Lajmin mbi marrëveshjen e arritur e ka shpërndarë ministrja britanike, nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Shqipëria është një partner kyç në luftën ndaj disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi, që nga emigrimi i jashtëligjshëm deri te krimi i organizuar”, shkruan Patel.

Më tej, ajo vijon me njoftimin e marrëveshjes së radhës mes dy vendeve. Sipas Sekretares së Punëve të Brendshme, kjo ujdi do të ndihmojë të dy vendet të përshpejtojnë hetimet ndaj krimit dhe të vendosin rendin e shtetit ligjor.

Vetë Çuçi, është shprehur optimist mbi bashkërendimin e punëve mes dy vendeve.

“Luftën kundër krimit të organizuar nuk e bëjmë dot veçmas, prandaj duhet të bashkërendojmë përpjekjet dhe resurset tona në çdo kohë”.

Një temë tjetër e diskutimit, ka qenë edhe emigracioni i jashtëligjshëm. Mbi të, ministri i Brendshëm tha se “ky problem, nuk mund të adresohet si i tillë, pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm”.

Ndaj, Çuçi bën me dije se i ka kërkuar homologes britanike rishikimin e regjimit të trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjeta mirëkuptimin e saj të plotë duke më shprehur gjithashtu angazhimin për të bërë gjithçka duhet për integrimin e tyre”, përmbyll ministri.

Marrëveshja e Ripranimit

Kjo marrëveshje vjen pas asaj të 9 korrikut 2021, kur dy ministrat firmosën atë që u njoh si “Marrëveshja e Ripranimit”. Ajo u propozua nga Qeveria britanike pas daljes së kësaj të fundit nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”,  nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Ajo është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si dhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale.

Qëllimi janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore