Shqipëria

Drejtësia “më këmbë”, takohen Kim, Kraja dhe Gjonaj


Të mërkurën e 7 korrikut pritet të mbahet një konferencë me temën “Forcimi i Drejtësisë Penale nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”, në të cilën do të marrin pjesë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kryetari i KLP-së, Genti Ibrahimi dhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Më herët, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) lajmëroi përmbylljen e një operacioni, ku në qendër të saj ishte përfshirja e zyrtarëve – në këtë rast kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe – në afera korruptive me tenderat.

Arrestimi i Tushes ishte një nga zhvillimet e rradhës përgjatë javëve të fundit ku sistemi i drejtësisë është ‘shkundur’ nga arrestimet e prokurorëve apo edhe operacione që implikojnë zyrtarë të lartë. Kjo e fundit u lajmërua edhe nga kreu i SPAK, Kraja gjatë konferencës “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit”.

“Jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet produkt më shumë në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike. Bëhet fjalë për politikanë”, u shpreh Kraja.

Etilda Gjonaj në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, u shpreh se drejtësia shqiptare ka njohur sfida të mëdha me ndryshime të shpeshta përmirësimi.

“Projektimi i reformës në drejtësi ishte domosdoshmëri për një ndryshim thelbësor për të pasur një sistem drejtësie të aksesueshëm për të gjithë, të drejtë, të paanshëm dhe transparent”.

Sipas ministres është vullneti i  Qeverisë Shqiptare dhe i Ministrisë së Drejtësisë, për të përmbushur “pritshmëritë e të gjithëve për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përmes rritjes së ndjeshme të eficencës së tij”.

“Askush nuk është mbi ligjin”, kjo ka qenë një nga thëniet që ka shoqëruar diskursin e Ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, përgjatë daljeve të saj publike apo statuseve post-operacionale të SPAK-ut.

Ajo e konsideroi 2021-in si vitin e çështjeve të mëdha, duke parë dhe mënyrën si ka nisur me disa hetime. Këtë deklaratë, ambasadorja Kim e dha gjatë takimit me drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja, dhe drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj.

“Rastet e vështira po vijnë. Reforma në drejtësi është e vërtetë. SHBA-ja do të jetë me Shqipërinë derisa sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht funksional”, shprehej Kim.

Gjithçka filloi pas vizitës së Reeker

Nuk është rastësi që aksioni i SPAK dhe distancimi i politikës shqiptare nga personat e inkriminuar apo të shpallur si të këtillë nga instancat e drejtësisë, mori hov pas vizitës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker.

“Mbështetje e pakushtëzuar në përkushtimin e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit, përfshi kushtëzimet e reja nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet nenit 7031(c)”.

Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, ky ishte një nga mesazhet kryesore që dha Reeker gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Në takimet që nën-sekretari zhvilloi, ai theksoi edhe rëndësinë e marrëdhënieve historike 30-vjeçare, midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ndër të tjera, ai nënvizoi edhe mbështetjen e presidentit amerikan, Joe Biden dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për mbështetjen në luftën e shqiptarëve ndaj korrupsionit.

Ai nuk harroi të përmendte edhe urdhrin ekzekutiv, të shpallur më herët gjatë këtij muaji, nga presidenti Biden.

Më 9 qershor, në Urdhrin e ri Ekzekutiv të lëshuar nga presidenti i SHBA-ve, në një nga pikat, saktësohet edhe ndëshkimi i personave, të cilët janë përgjegjës për minimin e sistemit demokratik dhe pengimin e reformave në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore