Lajme

Dodik: Në BeH s’do të kalojë asnjë temë që lidhet me Kosovën – as Procesi i Berlinit


Presidenti i entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik

Presidenti i entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se do të përkujdeset që në BeH të mos kalojë asnjë temë që ka të bëjë me Kosovën.

“Madje edhe ato të procesit të Berlinit, ku është kërkuar që kartat e identitetit të njihen si legjitime, nuk do të kalojnë në Bosnjë-Hercegovinë. Ne kemi qëndrimin tonë ndaj kësaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, tha ai, transmeton Dodik.net.

Duke iu përgjigjur deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, se BeH-ja duhet të deklarojë nëse e njeh apo jo Kosovën si shtet të pavarur, Dodik pyeti “pse Serbia do të mbështeste integritetin territorial të BeH, nëse BeH nuk e mbështet integritetin territorial të Serbisë”.

“Vetë fakti se është cenuar e drejta e votës së Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës për të vendosur për votimin për pranimin e Kosovës së vetëshpallur në Këshillin e Evropës, tregon tashmë se Bosnjë-Hercegovina ka vendosur qëndrimin e saj”, shtoi ai.

Dodik ka theksuar se “myslimanët e Bosnjës nën presionin e BE-së dhe amerikanëve po sillen në atë mënyrë”.

Ndryshe, Dodik ditë më parë pati reaguar pasi ambasadori i BeH-së ka abstenuar në Këshillin e Evropës kur Komiteti Ministror i KiE-së me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

Ai potencoi se ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës ka votuar pa procedurën dhe pëlqimin e Presidencës së BeH-së në kundërshtim me procedurat e përcaktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore