Lajme

Dinari në Bruksel, Tahiri: Favori më i madh që Qeveria ia bëri Serbisë


Abelard Tahiri

Kërkesa e komunitetit ndërkombëtar që rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe tranksaksione financiare në Kosovë të diskutohet në nivel politik në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për Partinë Demokratike të Kosovë, është favori më i madh që Qeveria e Kosovës i ka bërë Serbisë.

Një kërkesë e tillë, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Aberard Tahiri, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës.

“Çështja e tillë të ngritët në nivel politik të diskutimit, është dërgimi i ujit në mullinj të Serbisë”, ka thënë Tahiri.

Çështja e dinarit, në vlerësimin e Tahirit, është temë e brendshme e cila do të duhej të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kërkesa e tyre ka qenë e qartë të koordinohen me ta dhe në anën tjetër qytetarëve serbë të mos u paraqitet vështirësi për një periudhë tranzitore dhe kjo çështje të rregullohet me Kushtetutë e me ligje”, ka potencuar Tahiri.

Tahiri ndër të tjera ka shprehur habinë pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po krijon një krizë të tillë.

“Është e pakuptimtë. Pse duhet të krijohet një krizë e cila përfundon në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Kjo është e dëmshme”.

Takimi midis ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak s’prodhoi ndonjë rezultat konkret.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, deklaroi se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, do të nevojiten “takime shtesë” për këtë çështje në të ardhmen.

“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi Lajçaku menjëherë pas përfundimit të takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pas përfundimit të takimeve në Bruksel për çështjen e ndalimit të valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

“Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, pas takimeve të së martës, institoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore