Kosova

Dëshmitari në rastin Mustafa: “Jam keqtrajtuar për shkak të bindjeve politike”


Ilustrim

Gjatë ditë së mërkurë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dëshmitari në fjalë identiteti i të cilit nuk dihet gjatë tërë seancës iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Gjykatës Speciale, Cezar Michalzuk, kështu duke treguar se si është keqtrajtuar në Zllash.

Sipas dëshmitarit ai është keqtrajtuar nga disa persona në Zllash pasi është cilësuar se është spiun për arsye se ka pasur një ditar në të cilën ai vet ka mbajtur shënime.

“Më morën në mbrëmje me vete, sytë i kam pas të mbuluar por duart nuk mi kanë lidhur isha në përcjellë të dy persona edhe dy kanë qenë anash tyre, më kanë zhveshur pjesën e sipërme dhe më kanë pyetur pse kamë marrë shënime në bllokun tim”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

“Më kanë goditur në shpinë me shufër të gomës pasi më kanë cilësuar se jam spiun për arsye se kam pasur një bllok të shënimeve ku kam shënuar me stilolaps e cili në rast të ndonjë rreziku me ujë do të deformohej”, ka vazhduar ai.

Tutje dëshmitari ka potencuar se ai është rrahur për shkak të bindjeve të tij politike e assesi se pse ishte spiun.

“Pasi i kam analizuar gjërat e kam kuptuar se s’ka qenë qëllimi, ma shume ka qenë bindjeve tona politike ushtarake, shkaku i tyre, unë mendoj se ajo ka qenë, jo se në ishim spiun, s’ka pas asi sene”.

Dëshmitari i gjashtë në rastin e Salih Mustafës në Speciale, identiteti i të cilit nuk dihet

Dëshmitari më tej ka thënë se pasi është liruar nga objekti në Zllashë, ku pretendon të jetë mbajtur, në shtëpinë e tij kanë qenë disa anëtarë të njësisë BIA. Ai ka thënë se njëri nga ta është prezantuar si Cali, por sipas tij nuk përputhet me Calin për të cilin ka thënë se ka dëgjuar më pas se ka qenë në krye të kësaj njësie.

Komandantin e BIA-s, Calin, dëshmitari ka thënë se e ka parë një herë në kazermën e ushtrisë në fshat, emrin e të cilit nuk e ka përmendur, dhe njëherë në kazermën e UÇK-së të Rruga B në Prishtinë.

“Personi që është prezantuar tek unë Cali nuk përputhet me personin që në realitet është paraqitur tani, edhe në bazë të librave që përshkruhet edhe në bazë të atyre që kam dëgjuar që është ky”, ka shtuar dëshmitari.

Ai ka folur edhe për mbajtjen e disa personave në një ahur në Zllash.

Sipas tij ai ka parë disa here se këta persona janë sjellë në ahur të nxirë nga keqtrajtimet pasi janë rrahur jashtë.

Në bazë të pyetjeve të prokurorit, dëshmitari ka treguar se personat janë marrë në pyetje dy ose tre here.

“Kur ka fillu marrja në pyetje na kanë marrë një nga një. Na kanë mbuluar fytyrën. Kur kemi shku aty na e kanë heq mbulesën prej fytyrë edhe e kem pa që jemi në një vend tjetër ka qenë afër, ndoshta në kat të dytë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

“E kanë sjellë edhe një herë. Por herën e dytë ka qenë gati në gjendje të vdekur. Mezi rrike në këmbë. E shihnim prej vrimave që e goditshin 5-6 vetë. Pasi e kanë përfundu rrahjen e kanë pru të ne. Sa herë na e kanë pru na kanë thanë me thonë vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave, lavdi UÇK-së”.

Deri më tani në Gjykatën Speciale, për rastin e Mustafës janë dëgjuar pesë dëshmitarë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore