Sport

Dekoratë speciale për Ekipin Olimpik të Xhudos së Kosovës nga Japonia


Qyteti i Sanjos në Prefekturën e Niigatas në Japoni ka nderuar Ekipin Olimpik të Xhudos së Republikës së Kosovës me një dekoratë speciale.

Arbër Mehmeti, i dërguari me punë i Kosovës në Japoni ka qenë i pranishëm në ngjarjen e thirrur nga Ryo Takizawa, kryetari i qytetit të Sanjos.

Takizawa i dha Mehmetit dekoratën për mjeshtrin Driton Kuka, i cili i ka sjellë Kosovës tre medalje të arta olimpike në këtë sport.

Në fjalën e tij para pranishmëve, diplomati Mehmeti ka shprehur mirënjohje dhe vlerësimet më të larta për qytetarët e qytetit të Sanjos dhe kryetarin Takizawa i cili është mik i Kosovës dha ka mbështetur xhudistët në prag të lojërave olimpike, Tokyo2020.

Në fund, Mehmeti, duke shprehur bindjen e tij se bashkëpunimi në mes të Sanjos dhe Kosovës do të vazhdoj edhe në fusha tjera në të ardhmen, ai ka falënderuar edhe një herë kryetarin Takizawa dhe qytetin e Sanjos në emër të trajnerit Kuka dhe të çdo sportisti të Kosovës për këtë dekoratë speciale e cila është edhe e para e këtij lloji që vjen nga një qytet japonez për sportin në përgjithësi dhe xhudon në veçanti.

Motivacioni i kësaj dekorate speciale

Fitimi i dy medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 (Xhudo) dhe kontributi i jashtëzakonshëm në promovimin e sportit, gjithashtu edhe bashkëpunimi i shkëlqyer gjatë kampit stërvitor para Lojërave Olimpike në qytetin Sanjo.

Qëllimi i kësaj dekorate

Për të nderuar angazhimin dhe arritjet në përmirësimin e qeverisjes së qytetit, promovimin e industrisë, promovimin e kulturës, promovimin e mirëqenies së qytetarëve dhe veprat e mira që shërbejnë si modele për qytetarë e qytetit Sanjo.

Sportistët të cilët kanë pranuar dekoratë të ngjashme më parë

Qyteti i Sanjos këtë dekoratë speciale e ka ndarë edhe në dy raste të tjera, një futbollisti të kombëtares japoneze me prejardhje nga ky qytet kur ishte kualifikuar Japonia në kampionatin botëror dhe një sportisti të dytë nga ky qytet me Kanoe që kishte fituar vendin e parë në Lojërat Olimpike Aziatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore