Kosova

Deklarata Kushtetuese, Kurti: Një dokument i çmuar historik – akt i vetëvendosjes politike


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 33-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se akti i miratur nga 114 delegatë më 1990, mbetet dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit si komb, për republikën e parë të Kosovës.

“E hartuar si një ‘akt i vetëvendosjes politike’ duke u thirrur ‘në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve’, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës”, shkroi ai.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, është konsideruar si një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar kështu trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Jugosllavisë.

“E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë”, ka theksuar kreu i ekzekutivit.

“Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi”.

Ndryshe, në oborrin e ish-Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) në Prishtinë, më 2 korrik 1990, 114 delegatë me Deklaratën Kushtetuese do të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave.

Ajo ishte publikuar një ditë më vonë në “Fletorën Zyrtare” të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe ishte shkruar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa përmbante pesë pika kryesore që ndryshuan historinë e Kosovës.

Për aspektin juridik të Deklaratës Kushtetuese ishte përkujdesur akademiku i ndjerë, Gazmend Zajmi, nismëtar i dokumentit që kurorëzoi kërkesat e kohës, që do të finalizohej me Pavarësinë e Kosovës 18 vjet më vonë (17 shkurt 2008).

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Deklerata Kushtetuese e shpallur nga 114 delegatë zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit (10 korrik 1945) me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar Rezolutën e Bujanit, kishte aneksuar Kosovën.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë (1974), që i ishte bërë atëherë nga Serbia. Veprimi është pasuar dy muaj më vonë edhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990).

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte manifestimi i parë i strukturave legale të sistemit, që mësynin mëvetësinë e plotë dhe njëherësh dokumenti i parë i firmosur si vullnet i shqiptarëve të Kosovës, në historinë e rrugëtimit shtetformues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore