Lajme

Daçiç: “Nuk heqim dorë nga e drejta për të luftuar për Kosovën”


Pas deklarimit të kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borell, se situata në Veri është në prag të shpërthimit, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.

Ai deklaroi për TV Una në Serbi se “është e rëndësishme që të mos ketë incidente, por nuk e përjashtoj mundësinë që ato të ndodhin”.

Daçiç, që shumë kush e konsideron më nacionalist edhe se vetë presidenti i Serbisë, ka pohuar se “nuk ka dyshim se Serbia do të mbrojë interesin e saj kombëtar, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, kur ka folur për konfliktin eventual.

“Serbia nuk do të heqë dorë nga e drejta për të luftuar për Kosovën”, shtoi ish-kryeministri serb.

“Ne duam dialog dhe po kërkojmë zgjidhje, por jo çdo propozim duhet të pranohet”, vazhdoi deklarimin Daçiç, duke u thënë serbëve në Kosovë që shteti serb do të jetë me ta dhe se “nuk do të jetë aq e lehtë që njësitë speciale të Kosovës të dalin në veri për të mbledhur gjoba për targa”.

Veriu në prag të shpërthimit, situata më e rëndë që 10 vjet – Borell në konferencë të jashtëzakonshme për media

Deklarimi i Daçiç vjen pas konferencës së jashtëzakonshme të Borell, i cili ka kërkuar që afati i zbatimit të vendimit për targat të shtyhet patjetër dhe se duhet të gjendet një zgjidhje të paktën para datës 21 nëntor, kur fillojnë gjobat nga policia për vozitësit ilegalë.

“Nuk bën të arrijmë këtë datë pa pasur një marrëveshje, ose do jemi në prag të një situate të rrezikshme. Largimi i policisë në Veri ka krijuar një vakum dhe në këtë vakum më e keqja mund të ndodhë. Prandaj të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet më të madh”, deklaroi ai.

Meqë konferenca po mbahej pas mbledhjes së Këshillit të ministrave, ai ka prezantuar edhe qëndrimin e tyre.

“Mesazhi nga Këshilli është i qartë: ne duam më shumë progres. Ne prezantuam një propozim. Falënderoj Gjermaninë dhe Francën që fuqishëm përkrahën këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione”, tha Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore