Lajme

Çka do të thotë “Cveklla”, emri me të cilin Ramush Haradinaj e thirri ministrin Sveçla?


Ramush Haradinaj, AAK

Ramush Haradinaj është shprehur i mllefosur se si Lëvizja Vetëvendosje e akuzonte se po mban në punë një person të korruptuar si Nexhat Krasniqi, që njihet si “baba i tenderëve në Kosovë”, derisa tash vetë ministri Liburn Aliu po punon bashkë me Krasniqin në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si Udhëheqës i Divizionit të Prokurorimit.

Në mllef e sipër, Haradinaj ka filluar t’i përmend me radhë të gjithë udhëheqësit e Vetëvendosjes që e akuzonin se po “punon me një hajn” dhe kur ka përmendur ministrin e punëve të Brendshme në vend se të thotë Xhelal Sveçla, ashtu siç edhe quhet ministri, Haradinaj tha Xhelal “Cveklla”.

“Po kërkoj sqarim për korrupsion”, ka thënë Haradinaj, duke folur në Kanal 10, televizion në Kosovë.

“Unë po ju kërkoj çfarë u bë me Nexhat Krasniqin, u bë ai i mirë, apo jeni bërë edhe ju Nexhata, a është Albini Nexhat? Sa e ka përqindjen Albini, sa e ka Liburni (Aliu), Sa e ka Durmishi (Hysen), sa e ‘Cveklla’ (Xhelal), sa e ka Albulena Haxhiu? A ia japin ndonjë edhe Glaukut?”, ka pyetur Haradinaj.

“Kjo është pyetje serioze, unë po e bëj vazhdimisht”.

Do të dukej se Haradinaj kishte bërë një “lapsus linguae” kur në vend të Sveçla tha Cveklla, por kur e përsëriti disa herë u kuptua se nuk ishte rrëshqitje gjuhe.

Cvekla” është fjalë serbe, e cila në alfabetin cirilik shkruhet “цвекла“ dhe në shqip përkthehet si “panxhar i kuq”.

Ministri i Puneve te Brendshme, Xhelal Svecla

Panxhari është bimë barishtore me gjethe të mëdha vezake e me tufë afër rrënjës dhe me një zhardhok të tultë, të madh, të rrumbullakët sipër e me majë poshtë.

Kjo bimë përmban sheqer në sasi të ndryshme sipas llojit. Nga panxhari nxirret sheqer, apo përdoret për ushqim.

Përkundër se Haradinaj mund ta ketë menduar si ofendim për ministrin kur e quajti “Cvekla”, më shumë tingëllon si lëvdatë, sepse i bie t’i ketë thënë Xhelal Sheqeri.

Haradinaj nuk është pyetur, prandaj as nuk e ka shpjeguar gjatë emisionit, përse po ia deformon mbiemrin ministrit.

Detroit Dark Red Beet Seeds
Panxhari i kuq

“Baba i Tenderëve”

Sa Vetëvendosje ishte në opozitë dhe Ramush Haradinaj kryeministër, ai akuzohej se po e lë në punë dhe po bashkëpunon madje me dikë si Nexhat Krasniqi, i cili, siç thoshin nga LVV është “Kriminel” dhe aq shumë i përfshirë në tenderë të parregullt saqë kishte fituar nofkën “baba i tenderëve”.

Haradinaj thotë se pas këtyre akuzave ai kishte reaguar duke e hequr nga puna.

Gjithsesi, Krasniqi, pas ankesave në shkallë të ndryshme të sistemit të drejtësisë, ishte kthyer në punë dhe sot mbanë pozitën e njëjtë që kishte dikur.

Tani, kur VV është në pushtet, Krasniqi nuk përmendet më dhe ky është një standard i dyfishtë për Haradinajn.

“Mua më kanë akuzuar dhe e kam hequr këtë njeri nga puna dhe unë e kam marrë vesh që ky po nënshkruan tenderë për Liburnin (Aliu). Albin Kurti e di, Albin Kurti po shuan. Qeveria punon me një njeri që e ka akuzuar si kryekriminel”.

Haradinaj ka pasur edhe kritika të tjera për qeverinë, shumë më pak të ëmbla se ajo për ministrin Sveçla.

“Qeveria akoma nuk e ka blerë asnjë vaksinë”, ka deklaruar Haradinaj, duke iu referuar faktit se vaksinat kanë ardhur në formë donacionesh. Derisa, “133 mijë vaksina i kanë gjuajtur në lloç”, shton ai, kur flet për vaksinat që ishin donacion nga Norvegjia, por u desh të hidhen, sepse u skadoi afati.

Po të ndodhnin të gjitha këto dhe Albin Kurti të ishte në opozitë, Haradinaj është i bindur se ai “kish bo luftë civile, kish vendos arkivole para qeverisë”.

Kurti, thotë Haradinaj, është “mjeshtër i mashtrimit dhe këta janë argatë të tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore