Shqipëria

Celibashi: Informacioni për krime zgjedhore në gjuhë minoritare


Të gjithë informacionet mbi aktet që përbëjnë krim zgjedhor janë publikuar tashmë edhe në katër gjuhë minoritare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Në kuadër të informimit të pakicave, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kemi përgatitur këto informacione në lidhje me aktet që përbëjnë krim zgjedhor”, shkruan Celibashi.

Në tërësi, janë tetë gjuhë për të cilat bëhet fjalë. Gjuha greke, ajo boshnjake, serbe, maqedonase, gjuha rome, malazeze, bullgare dhe vllahishte.

Nga këto tetë komunitete, vetëm pesë prej tyre janë të regjistruara si të tilla. Komuniteti Serb, boshnjak dhe bullgar, janë ende të paregjistruar.

Ky mund të shihet si hap pozitiv i Shqipërisë për integrimin e tyre dhe dhënien e barazisë në procesin zgjedhor.

Qasje ndaj këtyre informacioneve mund të kenë të gjithë edhe nëpërmjet aplikacioneve telefonike. Faqet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në media sociale janë gjithashtu të hapura për të marrë informacion.

Projekti është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Shpërndarja e akteve që përbëjnë krim zgjedhor është parë si i domosdoshëm edhe për faktin se këtë vit, qytetarët do të kenë për herë të parë mundësi të ankimojnë krime zgjedhore. Më parë, kjo procedurë lejohej vetëm për subjektet politike.

KQZ-ja publikoi edhe modelet përfundimtare të fletëve të votimit të hënën e 22 marsit. Në to, do të jenë të qarta subjektet politike dhe kandidatët për të cilët mund të votohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore