Shqipëria

Celibashi: Duhet të përmirësohet kuadri ligjor për mbikëqyrjen e fushatave zgjedhore online


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar tryezën e diskutimit mbi mbikëqyrjen e fushatave zgjedhore në epokën digjitale.

Këtë, në bashkëpunim me International IDEA dhe Qendrën e Ligjit të Finlandës.

Atje kanë marrë pjesë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, shoqërisë civile, të kompanisë META/Facebook, auditues zgjedhorë, financierët e partive politike dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Në fokus ishte sfida e re e masivizimit të fushatave zgjedhore online dhe mënyrën se si aktorët politikë shpenzojnë gjithnjë e më shumë para në këtë sferë.

Fushata online operon shpesh në një mjedis me rregulla të paqarta dhe ku militojnë aktorët negative, ndaj institucionet mbikëqyrëse e kanë të vështirë të ndjekin ritmin e shpejtë të ndryshimeve në këtë mjedis digjital.

Ndaj dhe, International IDEA së bashku me Qendrës e Sundimit të Ligjit e Finlandës kanë zhvilluar studimin “Menaxhimi i Fushatës së Zgjedhjeve në Epokën Digjitale: Perspektiva për Rregullim dhe Transparencë më të Madhe në Shqipëri”.

Në tryezë u ndanë gjetjet paraprake të studimit me palët e interesuara në proceset zgjedhore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, cilësoi si sfidë kryesore mungesën e ndryshimeve të shpejta në legjislacionin aktual për të reflektuar zhvillimet në fushën e fushatave online, mungesën e kapaciteteve të mbikëqyrjes, mosrespektimi i periudhave të heshtjes zgjedhore, fushata të paligjshme dhe shpenzime online nga palë të treta, si edhe raportimet e gabuara të shpenzimeve në media sociale.

Ai theksoi se është “e nevojshme të përmirësojmë kuadrin ligjor, të rrisim kapacitetet e organeve të mbikëqyrjes dhe të përcaktojmë standarde të qarta të transparencës për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor dhe rritur besueshmërinë në politikë”.

Kurse zyrtarja e Programit të International IDEA, Blerta Hoxha, theksoi rëndësinë e adresimit në reformën e ardhshme zgjedhore, të sfidave me të cilat po përballet vendi ynë sa i përket fushatave zgjedhore online dhe shpenzimeve të partive politike/kandidatëve në platformat elektronike.

Ndërkaq, u diskutua edhe lidhur me mënyrat se si duhet të adresohen problematikat e zhvillimit të fushatave zgjedhore online.

Po ashtu u dakordësua mbajtja e diskutimeve të mëtejshme si përpjekje bashkëpunuese për të kontribuar në rekomandime për reformimin e kornizës rregullative në Shqipëri për Financimin e Fushatave Online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore