Shqipëria

Call Center – Gjykata merr vendimin për 35 të arrestuarit që mashtruan 2 milionë qytetarë


Gjykata Penale e Tiranës, të hënën e 27 dhjetorit, ka vendosur masën e sigurisë për 35 të arrestuarit, për mashtrim dhe zhvatje të 2 milionë qytetarëve, nëpërmjet Call Center-ave.

Në vendimin e zbardhur, tre nga të arrestuarit janë dënuar me masën e sigurisë “Arrest me burg”, njëri me afat 30-ditor dhe tjetri ka marrë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Kurse, 31 të arrestuarit e tjerë, janë dënuar me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Policia e Shtetit, më 24 dhjetor, ka vënë në pranga 35 shtetas, të cilët dyshohej të ishin pjesë e skemës së mashtrimit dhe zhvatjes së 2 milionë qytetarëve.

Gjatë një deklarate për media, policia njoftoi gjithashtu se janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas të tjerë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Komunikimi”, është arrestuar drejtori i Call Center-it dhe janë sekuestruar tre laptop, dy karta të bardha, të ngjashme me të bankave dhe një sasi e vogël kanabis.

Shtetasi izraelit, Rafael Genish, i njohur dhe si drejtori i Call Center “RGCapital”, vepronte në Tiranë prej vitesh.

Kurse kreu i Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeri, tha se “janë sekuestruar prova materiale, të cilat do t’i vlejnë hetimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore