Shqipëria

Braçe i kërkon AMF-së të luftojë mashtrimet me Call Center dhe kriptovaluta


Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në Komisionin e Ekonomisë të martën e 10 majit, i ka kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që të luftojë mashtrimet e Call Center-ave me Forex, si dhe veprimtarinë kriminale të kriptomonedhave.

“Për shkak të aktivitetit kriminal të gjerë të zbuluar në tregun e kapitaleve, por edhe në tregun e aseteve virtuale, kriptovalutave, mendoja që Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare do t’u jepte rëndësi këtyre raporteve. Komisioni i Ekonomisë ka lënë detyra të qarta për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Ato detyra nuk janë përmbushur dhe tani fenomeni është kthyer në një fenomen kriminal”.

Ai thotë se Shqipëria u bë “turp i botës për shkak të raportimeve që erdhën nga agjenci ku qytetarët ishin mashtruar nga ky fenomen”.

Sipas Braçes, të vetmet herë, kur autoritetet kanë vepruar kundër këtyre kompanive të mashtrimit, ka qenë kur janë kallëzuar nga qytetarët e mashtruar.

Ai i kërkoi llogari AMF-së dhe institucioneve të tjera që mund të shpërndajnë informacione lidhur me këto kompani.

“Kemi goditur vetëm nga informacioni i tyre. Si ka qenë Autoriteti për të goditur këtë fenomen ndër vite. Në 2019 çfarë ka bërë Autoriteti në 2020 dhe 2021? Referuar këtij fenomeni dua të di, apo agjenci të tjera që merren me krimin ekomomik a keni patur informacion dhe çfarë keni bërë”.

“Cili ka qenë aktiviteti i AMF-së për të goditur këtë fenomen? Çfarë ka bërë autoriteti për të zbatuar ato që la komisioni? Nga agjenci të tjera, përfshi SHISH apo agjenci të tjera që merren me krimin ekonomik, keni pasur informacion apo jo?”, vijoi Braçe.

“I njëjti fenomen është shfaqur edhe në kriptovaluta”, ravijëzoi Erion Braçe.

Sipas deputetit, parlamenti kreu një përpjekje të mirë muaj më parë, duke miratuar legjislacionin e domosdoshëm për të rregulluar veprimtarinë në këtë fushë.

Por, shtoi ai, “tani që kemi një bazë ligjore, cilat kanë qenë masat e marra nga autoritetet për goditjen informate në këtë treg?”.

Kërkesat dhe deklaratat e Erion Braçes erdhën në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë, gjatë raportimit të veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore