Lajme

9 pronat e uzurpuara nga operatori postar serb, ende problem për Postën e Kosovës


Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës ka raportuar për pasqyrat financiarë të vitit të kaluar, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Kryetarja e këtij komisioni, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se mbivlerësimi i pasurive fikse të pronave, nga operatori postar serb, i cili vazhdon të jetë problem edhe më tej për Postën e Kosovës.

“Mbi vlerësimi i pasurive fikse që është në vlerë mbi 199 mijë 600 euro për 9 pronat të cilat janë të uzurpuar nga operatori publikë postar i Serbisë me të cilat Posta e Kosovës Shoqëria Aksionare dhe nuk kontroll dhe nuk realizon përfitime ekonomike.

Po ashtu Bajramit ka përmendur edhe diferencat gjatë transaksioneve.

“Bazë për modifikimin e këtij opinioni kanë qenë që plotësia e transaksioneve të llogarive të arkëtueshme dhe të pagueshme nuk ka qenë e mundur të konfirmohet nga ana e Zyrës së Kombëtare të auditimit”.

“Për shkak të mos zbatimit të një date specifike dhe uniforme, të prirjes dhe korrigjimit pas datave për të gjithë furnitorët dhe klientët e Postës ndërkombëtare rrjedhimisht ekzistojnë diferencat e theksuar ndërmjet dokumenteve burimore për transaksionet e vitit dhe atyre të prezantuar në pasqyrat financiare”.

Ndër të tjera ajo foli edhe për humbjet milionëshe të Postës.

Bajrami theksoi se në këtë raport të auditimit është vënë re rritja enorme e numri të punëtorëve, pavarësisht që të ardhurat e kësaj kompanie publike kanë rënë.

“Posta përballet në vazhdimësi me humbje të mëdha, rritja e numrit të të punësuarve është e paarsyeshme”, tha Bajrami.

Kryesuesja e bordit të Postës, Safija Beseni, i mbështeti të gjitha të gjeturat e auditorit dhe specifikat e shprehura nga ministrja Bajrami për ZKA-të.

Ajo bëri të ditur se këto gjetje mund të mos përsëriten në të ardhmen.

“Më shumë detaje nuk kam çka të shtoj për gjetjet, sepse janë në raport. I kemi problemet te pronat, është duke u përgatitur një listë, për këto 132 dhe çka është ndërmarr që të vërtetohet pronësia. Në momentin që e kemi një listë të saktë do të bëhet publike”, tha ajo.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Postës, Rafet Jashari, premtoi se këto të gjetura të ZKA-së do të eliminohen gjatë këtij viti.

“Posta është në gjendje jo të mirë financiar, këtu ka ndikuar menaxhmenti dhe resurset njerëzore”.

“Zotohem se të gjitha problemet do t’i adresojmë dhe do të punojmë që të gjitha këto probleme t’i zvogëlojmë dhe të vijmë në një ndërmarrje që të kemi një bilanc optimal dhe të mos jemi barrë e qeverisë”, tha Jashari.

Jashari ka kërkuar nga deputetët qe këtë çështje ta diskutojnë edhe më deputetët e tjerë në Parlamentin e Kosovës sepse është një problematikë mjaft e madhe për shkak se nuk dihet nëse ky operator serb ka leje operimi nga ARKEP.

“Posta është në gjendje jo të mirë financiare, ndoshta ka ndikuar edhe konkurrenca apo edhe menaxhmenti. Fusha postare është e lirë dhe tash ka shumë kompani që bëjnë dërgesa. Kemi mungesa të IT, kemi mungesë të automjeteve të transportit, janë të stër vjetërsuara. Ne si operator publik jemi të detyruar që për një pako të shkojmë në pikën më të largët në Kosovë. Unë e kam marrë detyrën që dy javë. Ne do të zvogëlojmë të gjitha humbjet dhe do t’i adresojmë rekomandimet e auditorit. Ne jemi në proces të angazhimit që të sigurojmë të hyrat tona duke mos u bazuar në qiratë e Telekomit por me anë të shërbimeve tona” tha ai.

Kur foli për pronat, Jashari shtori se ky problem me Postën e Serbisë është i kamotshëm.

“Ne ju kemi ofruar që të integrohen në Postën e Kosovës. Problem është edhe hyrja e pakove nga Serbia që hyjnë pa asnjë kontroll. Ne kemi kërkuar që pronat të kthehen. Nuk e di nëse operatori publik postar i Serbisë ka leje nga ARKEP për operim”.

“Këto lokacione janë kryesisht në komuna veriore por ka edhe në Graqanicë. Posta i ka 950 punëtorë. Mosha mesatare është mbi 46 vjeçare. Mungon kualiteti i punëtorëve sepse kriteret e punësimit kanë qenë joadekuate për Postën e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Rafet Jashari.

Deputetja e VV-së, Arta Bajraliu, kërkoi të di pagat e drejtorisë së financave të Postës së Kosovës dhe organizimin e brendshme.

“Sa personal ka drejtoria e financave, a ka kontabilist të certifikuar, a ka auditor të certifikuar, sa është paga mesatare, sa paguhet drejtori i financave dhe në total sa paguhet personeli i drejtorisë së financave”?.

Ndërsa, Enver Govori, nga Posta e Kosovës tha se vetëm një zyrtar financiar është i certifikuar dhe numri total i punëtorëve që është 21.

“1660 euro paga bruto, është ulur për 30 për qind. Janë ulur edhe shpenzimet e stafit, që ka ndikuar edhe ulja e shpenzime për stafin e financave”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Sadiku, ngriti shqetësimin e sajë në lidhje me rrogat  mëdha.

“Konstatim edhe i ZKA ke që ata njerëz nuk po e bëjnë punën si duhet. A i meritojnë ato paga që i marrin, shtrohet pyetja?”, tha ajo.

“Ka shumë humbje operacionale, sa kam informata unë 90 për qind e buxhetit shkon në paga dhe mëditje, diku 28 milionë euro humbje. Nuk i keni punët mirë, kjo është absurde. Ju na e konstatuar edhe vet kualitetin e punëtorëve, po shihet se politika çka i ka bërë kësaj ndërmarrje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore