Shqipëria

Blinken: Reforma në Drejtësi po jep rezultate, do vijojmë mbështetjen


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pranoi se Reforma në Drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë.

Ama sipas tij, SHBA-të kanë nisur të shohin rezultate të vlefshme.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ne do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë”.

Fjala e Blinken erdhi pas takimit me personalitete të institucioneve të drejtësisë, si kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe drejtues të tjerë.

“Kam takuar prokurorë e gjyqtarë dhe është e rëndësishme që anëtarë të grupeve kriminale po përballen me drejtësinë. Ne do vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE”.

Kështu diplomati amerikan solli në vëmendje se dy vendet kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi dhe se SHBA-të do të ndihmojnë për të mos pasur shtrembërime informacionesh.

Kjo pasi siç pranoi Blinken: ka një luftë informatike nga mëngjesi në mbrëmje, prandaj duhet një mënyrë efektive për ta shmangur këtë gjë.

Më tej, ai solli në vëmendje se janë trefishuar investimet amerikane në Shqipëri dhe ka potencial për të ndihmuar planetin tonë të përbashkët dhe ekonominë tonë.

“Sa i takon lidhjeve tregtare mes vendeve, ne sapo jemi kthyer nga disa takime me të rinj të programeve tonë të shkëmbimit që i bëjnë lidhjet tona akoma më të forta”.

“Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju! Kjo ka qenë e vërtetë tri dekada më parë, mbetet e njëjtë sot dhe njëjtë nesër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore