Lajme

Bislimi nuk i iki raportimit, s’pati kuorum, sqarohet këshilltari i zëvendëskryeministrit


Ilustrim: Besnik Bislimi dhe Klisman Kadiu

Dy ditë pasi u takua me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të premte, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare pritej të raportonte në Komisionin për Integrime Evropiane, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Opozita tha se ai i iki raportimit ndonëse datën dhe ditën për raportim e kishte caktuar vetë Bislimi.

Por, një version tjetër të mos-raportimit të Bislimit në Komisionin në fjalë e dha këshilltari i tij, Klisman Kadiu, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij ai nuk i iki raportimit, por Komisioni në fjalë dështoi pasi nuk pati kuorum.

“Mbledhja e paraparë për raportim të zëvendëskryeministrit Bislimi para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, nuk u mbajt për shkak se nuk pati kuorum. Jo sepse nuk shkoi zëvendëskryeministri Bislimi. Ai pikërisht nuk ishte prezent, sepse nuk kishte kuorum”.

Sipas tij, Bislimi, nuk ka refuzuar asnjëherë të raportojë në Komisionin për Integrim Evropian.

Kryesuesja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi, tha se Bislimi e ka konfirmuar një ditë më herët pjesëmarrjen e tij në komision, por se sot nuk ka shkuar për të raportuar.

“Sot e pamë që kjo ka qenë e qëllimshme pasi nuk ishin prezentë as deputetët e pozitës. Qëllimi i takimit ka qenë që Bislimi të tregojë në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, e ka cilësuar si ikje mos-pjesëmarrjen e Bislimit në Komision për raportim, pjesëmarrjen të cilën e kishte konfirmuar paraprakisht.

“Njeriu i dytë i kësaj qeverie prej marrëzisë së skandaleve të njëpasnjëshme të cilat i keni parë edhe në seancën e fundit, sot nuk ishte për të raportuar sepse e gjitha ajo çfarë ka bërë kjo qeveri janë skandale të panumërta janë sanksionet dhe izolimi i vendit”.

Si ikje nga detyra e ka cilësuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, mos-pjesëmarrjen e Bislimit në Komision për raportim.

“Kjo Qeveri po ik prej përgjegjësisë për të ardhur për të raportuar se për çfarë kanë dialoguar. Po mungon zëvendëskryeministri që vetë e ka caktuar datën dhe orën, dhe sipas rregullores e ka obligim të vijë të raportojë”, ka deklaruar Kadrijaj.

Mungon Bislimi, dështon raportimi para Komisionit për Integrime Evropiane

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore