Lajme

Bislimi në Suedi: Statusi i kandidati në BE është qëllimi ynë i radhës


Jessika Roswall dhe Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në ditën e parë të vizitë së tij në Suedi ka takuar ministren për çështje të BE-së, Jessika Roswall, me të cilën kanë diskutuar shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

“Statusi i kandidatit është qëllimi ynë i radhës”, ka shkruar Bislimi në rrjetin e tij social në Twitter pasi sipas tij në dy vjetët e qeverisjes është bërë progresi i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejtë integrimeve evropiane.

“Progres i rëndësishëm është bërë në dy vjetët e qeverisë sonë në rrugën e integrimit në BE. Liberalizimi i vizave u arrit dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës kaloi fazën e parë”, ka shkruar ndër të tjera Bislimi në Twitter.

Zëvendëskryeministri Bislimi, gjatë qëndrimit në Suedi është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson.

Bislimi e Danielsson kanë folur për rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian, liberalizimin e vizave e pranimin e aplikimit të Kosovës në KiE.

“7 vite pas nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane. Vetëm në dyvjeçarin e fundit, është arritur miratimi i numrit më të lartë ndonjëherë të projektligjeve të reformave në kuadër të Integrimit Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore