Lajme

Ben Jelloun: “Nuk është një revoltë anti-hebreje”


“Është absolutisht normale që të rinjtë e sotëm po mobilizohen për të dhënë mbështetjen e tyre për palestinezët”.

Shkrimtari franko-maroken Tahar Ben Jelloun, 79 vjeç, kur flet për lëvizjen pro Gazës që është shfaqur në Shtetet e Bashkuara, evokon një prirje të re të lindur si pasojë e krizës së vazhdueshme.

Një lëvizje ka mbërritur edhe në Evropë: përballë universitetit prestigjioz parizien të Sciences Po, tashmë i pushtuar që javën e kaluar, dje u zhvillua një protestë me një të ri që nisi grevën e urisë, ndërsa në Sorbonë u evakuuan disa studentë.

Por mbi të gjitha ishin dëbimet në universitetet amerikane që shkaktuan diskutime, me Presidentin Biden që dënoi “vandalizmin dhe protestat e dhunshme”, duke garantuar se “antisemitizmi” nuk ka vend në universitete.

Intervista e plotë e La Stampa-s
Zoti Ben Jelloun, protestat që kanë shpërthyer në disa universitete amerikane duken të vendosura për të vazhduar pavarësisht nga dora e ashpër e autoriteteve. Si e shpjegoni lindjen e një lëvizjeje kaq të fortë në Amerikë?

“Është hera e parë që ka pasur një mobilizim të ngjashëm në favor të Palestinës si ai që po shohim ditët e fundit. Është një fenomen proteste kundër Izraelit që ka shpërthyer pothuajse kudo, jo vetëm në SHBA por edhe në vende të tjera si Anglia, Italia apo këtu në Francë dhe kjo na bën të reflektojmë.

Gjithashtu edhe sepse protesta në vazhdim nuk ka të bëjë vetëm me studentët, por edhe disa pedagogë që i janë bashkuar protestës”.

Policia amerikane përdori forcën për të pastruar Hamilton Hall në Universitetin e Columbias në New York, ku u bënë qindra arrestime, ndërsa në kampusin e UCLA-s në Kaliforni, ata çmontuan një kamp protestuesish duke përdorur shkopa gome. Një diskutim i qetë duket i pamundur për momentin.

“Për fat të keq, kjo nuk është epoka e dialogut. Ka shumë tensione, shumë përplasje për konfliktin e vazhdueshëm që nuk na lejojnë të fillojmë një diskutim”.

Por pse shpërtheu kjo protestë tani, disa muaj pas fillimit të reagimit të Izraelit ndaj sulmit të pësuar nga Hamasi?

“Ajo ka mbërritur në këtë kohë për shkak të intensitetit të bombardimeve në Gaza, të cilat kanë tronditur ndërgjegjet.”

Dhe ishin studentët ata që ngritën zërin në Perëndim. Pse kjo kategori po tregohet kaq e ndjeshme ndaj çështjes?

“Të rinjtë e sotëm kanë gjetur një kauzë, e cila është ajo palestineze, për të cilën duhet vënë drejtësi. Djemtë dhe vajzat zbuluan se ka kolonizim të kryer me dhunë, me embargo dhe me padrejtësi ndaj popullit palestinez. Pastaj ishte sulmi i Hamasit më 7 tetor, po aq i tmerrshëm sa edhe mënyra se si Izraeli u përgjigj, duke vrarë me vetëdije popullsinë civile të Gazës. Rreth 40 për qind e viktimave janë gra dhe fëmijë, të goditur ndërsa flinin në shtëpitë e tyre. Një situatë që skandalizoi dhe trazoi ndërgjegjet. Brezi im, megjithatë, ishte shumë i shqetësuar për luftën në Vietnam, kundër së cilës ne demonstruam në rrugët e Parisit”.

A mendoni se është e mundur të bëhet një paralele me protestat e vitit 1968, siç kanë bërë shumë vëzhgues?

“Jo, sepse ajo që u mbajt gjatë muajit maj në Paris ishte një protestë e krijuar për të vënë në diskutim vetëm shoqërinë franceze”.

A nuk ekziston rreziku i një zhvendosjeje antisemite në këto lëvizje pro Gazës?

“Po tentohet të devijohet protesta duke e drejtuar drejt asaj teme. Kjo është një mënyrë për të bërë presion mbi të rinjtë dhe për të shtrembëruar revoltën e tyre, e cila nuk është kundër hebrenjve, por kundër pushtimit të territoreve palestineze. Edhe në Francë kam parë personalitete të rëndësishme që pretendojnë se demonstratat pro-palestineze janë antisemite. Sot në këtë vend sapo kritikon Izraelin trajtohesh si antisemit, është e patolerueshme. Atëherë ndoshta në radhët e militantëve mund të ketë njerëz me ide antisemite, por ata janë kudo”.

Duket se e keni me autoritetet franceze. Si e vlerësoni menaxhimin e tyre për këto protesta?

“Ata ishin kundër nismave në mbështetje të Gazës edhe para se këto veprime të arrinin në universitete. Në muajt e fundit, Ministria e Brendshme ka refuzuar vazhdimisht autorizimin për të demonstruar në rrugë”.

Fakti mbetet se bllokimi i universiteteve nga protestuesit i pengon të gjithë studentët të ndjekin mësimet.

“Ai në Universitetin Sciences Po në Paris nuk ishte një mobilizim i madh. Bëhet fjalë për 100 studentë dhe studente që ende po rezistojnë. Kishte vetëm një rast, ku përfshihej një student hebre, i cili u pengua të hynte në amfiteatrin e pushtuar. Është një episod që duam ta përdorim për të përgjithësuar çështjen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore