Shqipëria

BE thotë se nevojiten më shumë burime për të luftuar dezinformimin rus – Ballkani i prekur


Ministrat nga Franca, Gjermania dhe Polonia zbuluan se rrjeti rus i dezinformimit “Portal Kombat” ka vijuar rritjen, me website të reja që synojnë 19 shtete anëtare dhe Ballkanin Perëndimor.

Për këtë arsye ata kërkuan më shumë burime për të trajtuar dezinformimin në internet përpara zgjedhjeve evropiane të qershorit.

Shërbimet franceze të sigurisë zbuluan në shkurt ekzistencën e një rrjeti propagandistik pro-rus në mbarë BE-në, të quajtur “Portal Kombat”, me rreth 200 faqe interneti që përhapnin dezinformata rreth luftës në Ukrainë dhe shpërndanin narrativën e Kremlinit.

Vëzhguesi i ndërhyrjes së huaj të Francës, VIGINUM, i pari i këtij lloji në BE, zbuloi se rrjeti nuk ka reshtur së rrituri, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të përmbajtur dezinformimin rus.

Ai krijoi 31 faqe interneti shtesë në mars për të përhapur narrativa pro-ruse, tha ministri francez, Jean-Nowl Barrot, pas një takimi me homologët e tij gjermanë dhe polakë.

Ai shtoi se website-t, të cilat të gjitha mund të lidhen me një server me bazë në Rusi, shënjestuan 19 shtete anëtare të BE-së si dhe Ballkanin Perëndimor, Afrikën dhe Azinë.

Zbulimet kontribuojnë në përpjekjet në mbarë BE-në “për të devitalizuar përpjekjet e propagandës dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve” javë përpara zgjedhjeve të BE-së të 6-9 qershorit, tha Barrot.

Në mars, autoritetet polake dhe çeke të sigurisë ekspozuan ekzistencën e një operacioni të ndikimit pro-rus në Evropë përmes faqes së internetit të “Voice of Europe”, e cila që atëherë është bllokuar.

Si pjesë e operacionit, zyrtarët publikë evropianë, përfshirë eurodeputetët, morën pjesë në konferenca dhe panele të organizuara nga faqja e internetit.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë javën e kaluar duke i bërë thirrje BE-së të rrisë një përgjigje që “bazohet në një qasje politike ndërsektoriale, holistike dhe afatgjatë”.

“Parlamenti është i tmerruar nga pretendimet e besueshme se disa deputetë janë paguar për të shpërndarë propagandë ruse”, thuhet në rezolutë duke iu referuar zbulimeve të “Voice of Europe”.

Nevojiten më shumë burime, tani

Pavarësisht urgjencës për të luftuar dezinformimin, me zgjedhjet e BE-së vetëm disa javë larg, ministrat thanë se burimet dhe mjetet ende mungojnë.

“Ne duhet të ecim përpara me veprime të qarta dhe një regjim i ri sanksionesh kundër krijuesve të përmbajtjes së dezinformatave pasi mjetet në fuqi deri më sot nuk janë të mjaftueshme”, tha anëtarja e Bundestagut të Gjermanisë, Anna Lührmann.

Shtetet anëtare kanë qenë gjithashtu të ngadalta në kapjen e rëndësisë së rreziqeve të dezinformimit në internet, paralajmëruan ministrat.

“Ne jemi duke u goditur nga propaganda ruse, në përmasa që nuk mund ta prisnim kurrë disa vite më parë”, tha Barrot, duke theksuar se ndërgjegjësimi i kryeqyteteve të BE-së është duke u vonuar.

Ministrat e Punëve të Jashtme të “Trekëndëshit të Vajmarit” u zotuan tashmë të përforcojnë bashkëpunimin e ngushtë për të gjitha gjërat dezinformuese në një takim në shkurt.

Ky angazhim duhet të zgjerohet në të gjitha shtetet e tjera anëtare dhe shpejt, tha Lührmann.

Platformat e mediave sociale, të cilat ndihmojnë në përforcimin e retorikës pro-ruse, kanë gjithashtu detyrime sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të miratuar rishtazi nga BE-ja për të hequr përmbajtjen mashtruese dhe për të ndërmarrë hapa proaktivë për të kufizuar përhapjen e lajmeve të rreme.

Barrot do të takohet me drejtuesit e platformës për të theksuar se duhet të ndërmerren të gjithë hapat për t’u siguruar që përmbajtja e mediave sociale të jetë në përputhje me detyrimet e DSA.

Franca po drejton gjithashtu përpjekjet për të vendosur sanksione të reja si pjesë e luftës kundër dezinformimit rus.

Një projekt-propozim i ri, i marrë nga Bloomberg javën e kaluar, do të kërkonte të vendoste sanksione ndaj individëve dhe organizatave të përfshira në përpjekjet ruse për dezinformimin në mbarë botën.

Nisma ka marrë mbështetjen e Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Holandës, Polonisë dhe së fundmi edhe Gjermanisë.

Dezinformimi, ky problem madhor për Ballkanin dhe botën perëndimore – Intervistë me Jakub Kalensky, ekspert rreth kërcënimeve hibride

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore