Shqipëria

Dezinformimi, ky problem madhor për Ballkanin dhe botën perëndimore – Intervistë me Jakub Kalensky, ekspert rreth kërcënimeve hibride


Çfarë janë kërcënimet hibride? Çfarë është dezinformimi, ndërhyrjet keqdashëse të një shteti tjetër? Pse po flitet për të? Pse Shqipëria po ndërmerr hapa për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar për trajtimin e rreziqeve që vijnë prej këtyre faktorëve të jashtëm, me qëllime destabilizimin e demokracive dhe shteteve pro-perëndimore?

Dezinformimi mund të jetë ndër temat më të lakuara në javët e fundit në Shqipëri.

Ndërmarrja e hapave për ta luftuar atë nga Qeveria shqiptare, përmes një Komisioni të Posaçëm, aktualisht mbështetur vetëm nga shumica parlamentare, ka zënë vendin në faqen e parë të mediave.

Por asnjëherë nuk është shpjeguar si duhet se pse po luftohet një fenomen i tillë dhe çfarë rreziqesh sjell në vetvete, duke parë edhe eksperiencën evropiane të viteve të fundit.

Lidhur me këtë, Albanian Post ka kontaktuar me një ndër ekspertët më në zë sa i takon kërcënimeve hibride, Jakub Kalensky, i cili është zëvendësdrejtor i COI Hybrid Influence, Qendrës Evropiane për Luftën ndaj Kërcënimeve Hibride.

Që prej fillimit, Kalensky e bën të qartë situatën: Për të folur mbi një çështje të tillë, do të duheshin orë të tëra dhe artikuj akademikë.

Megjithatë, ai ka qartësuar disa prej aspekteve kryesore në këtë luftë, duke përmbledhur shkurtimisht edhe arsyet se pse dezinformimi dhe lufta ndaj tij është temë kaq e gjerë në mbarë Evropën dhe si mund të përfitojë Shqipëria nga modelet e huaja për të pasur një punë të suksesshme nga ky Komision i Posaçëm.

Por gjithashtu, edhe çfarë Shqipëria mund të mësojë nga gabimet në kontinentin e vjetër, për trajtimin e çështjes.

Kalensky, shtjellon fillimisht për Albanian Post situatën jo shumë të mirë në Evropë.

“Kam frikë se situata nuk është shumë e mirë. Dezinformatorët ende arrijnë shumë fitore, është ende shumë e lehtë për ta të përhapin dezinformata dhe propagandë, dhe Evropa nuk po bën sa duhet për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi. Problemi kryesor është te burimet – agresorët e informacionit po shpenzojnë shumë herë më shumë për agresionin e tyre të informacionit sesa ne po shpenzojmë për të na mbrojtur nga agresioni i tyre”.

Gjithashtu, e specifikon se vendet e Evropës Lindore janë ato më të rrezikuara. Kjo, edhe pse disa vende në këtë pjesë të kontinentit shfaqin një performancë më të mirë të luftës ndaj dezinformatave se sa ato të Evropës Perëndimore.

“Vendet baltike janë ndër vendet që kanë më shumë njohuri dhe janë më elastike ndaj dezinformatave të Rusisë në Evropë, pavarësisht se janë në Lindje. Ka shumë faktorë për këtë: niveli i arsimimit mediatik, gjendja e institucioneve dhe niveli i besimit në to, polarizimi i vendit, niveli i njohurive për Rusinë dhe dezinformatat e tyre”.

Sërish Kalensky, në lidhje me strategjinë dhe taktikat që dezinformatorët përdorin në shpërndarjen e tezave të tyre dhe lajmeve të rreme, vë në dukje se kemi të bëjmë më një pyetje shumë të gjerë për t’u përgjigjur me disa fjali.

Por në një shtjellim të shkurtër, ai jep një shpjegim të shpejtë.

“Dezinformatorët po përpiqen të përdorin sa më shumë mjete dhe metoda të ndryshme të jetë e mundur, dhe të shohin se çfarë ngjit në publik. Kjo ‘çfarë ngjit’ do të jetë e ndryshme në çdo audiencë të caktuar të synuar, në varësi të gjendjes së mjedisit të informacionit, nga dobësitë e ndryshme. Dezinformatorët janë si një mjek i ligë që përpiqet të bëjë diagnozën më të saktë të pacientit të tij, të gjejë sëmundjet e tij dhe t’i përkeqësojë ato. Pacientë të ndryshëm do të kenë dobësi të ndryshme – por mekanizmi i përkeqësimit të tyre do të jetë i njëjtë”.

“Metoda kryesore e arritjes së suksesit është ‘pika e ujit që bie mbi një gur’: nuk bën ndryshim sepse është shumë i fortë, por sepse është këmbëngulës. Pasi të keni shpërndarë informacionin keqdashës përmes kanaleve të shumta nëpërmjet altoparlantëve të shumtë për një kohë të gjatë – atëherë mund të arrini efektin kumulativ”.

Shqipëria megjithatë është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe dinamika këtu është e ndryshme nga ajo e rajoneve të tjera. Polarizimi – siç e shpjegon edhe Kalensky – mund të jetë një pikë e dobët e gjithë hallkës kundër dezinformimit.

“Sa më i polarizuar të jetë vendi, aq më të dobëta janë institucionet dhe mediat dhe sa më shumë vija ndarëse të ketë (qofshin vija ndarëse kombëtare, etnike, fetare, socio-ekonomike), aq më shumë terren pjellor gjendet për aktorët keqdashës. Kjo është e vërtetë në përgjithësi. Është ndoshta rasti që në vendet e Ballkanit Perëndimor, këta faktorë mund të jenë më të rrezikshëm se në disa vende perëndimore”.

Përmend gjithashtu edhe probleme që mund të krijohen në shoqëritë ballkanike prej dezinformatave.

“Kudo, dezinformimi mund të dobësojë shoqëritë, institucionet e tyre, mediat e tyre. Duke e shtrembëruar realitetin dhe duke dobësuar institucionet që duhet të na ndihmojnë të kuptojmë realitetin, ato dobësojnë sundimin e ligjit – gjë që nuk është e mundur pa qenë në gjendje të përcaktohet realiteti objektiv. Dezinformimi mund të kërcënojë jetët e njerëzve (siç ndodhi me dezinformimet gjatë COVID apo me terrorist Balda në Republikën Çeke), ai ka pasoja ekonomike (sërish kujtojmë periudhën COVID ose dezinformatat në lidhje me ngrohjen globale). Po ashtu kërcënon demokracitë tona (shihni ndërhyrjet në zgjedhje elektorale, ose në përpjekjet për dobësimin e institucioneve)”.

Dhe pyetjes tonë se cilat janë argumentet të cilat më shumë mbështesin vendet si Rusia apo Kina në dezinformim, Kalensky në mënyrë konçize nënvizon se “Qëllimi kryesor aktualisht është ndoshta dobësimi i mbështetjes së botës demokratike për Ukrainën. Një tjetër temë afatgjate, laitmotiv është dobësimi i Perëndimit, pra BE-së, NATO-s dhe demokracitë tona, dhe kështu si pasojë forcimi i Rusisë, autokracisë dhe diktaturave, në një qasje të lojës me shumën zero”.

Konkretisht, ndalemi në bisedë edhe tek ajo çfarë Shqipëria mund të arrijë me ngritjen e Komisionit kundër Dezinformimit.

Ai shprehet i qartë se cila mund të jetë arritja kryesore e këtij komisioni.

Ka të bëjë më së shumti me dokumentimin e kërcënimit, në mënyrë që të mbledhë më shumë të dhëna dhe të fitojë një botëkuptim më të gjerë sa i takon kërcënimit që vjen nga informatat e caktuara në mjedisin mediatik apo atë të mediave sociale.

Sa i takon shqetësimeve të faktorëve politikë rreth kapjes së këtij Komisioni, ai shton “se duhen parë specifikat dhe kompetencat e organit”, por gjithashtu se “është në tërësi e mundur që të parandalohet politizimi dhe fryma politike për një trup të tillë”.

Fjala bie, sipas Kalensky-t, një “Komitet mbikëqyrës ndaj Komisionit, i përfaqësuar nga aktorë akademikë, mediatikë, të shoqërisë civile, grupeve të interesit etj., mund të bëjë që këto shqetësime të mos kenë bazë”. 

Ndër të tjera, Shqipëria sipas tij mund të përfitojë edhe nga përvoja ndërkombëtare.

Në veçanti, përmend hetimin e njohur si “Mueller”, bazuar në raportin e hartuar nga një komitet i posaçëm hetimesh gjatë viteve 2-17-2019, lidhur me zgjedhjen e ish-Presidentit amerikan, Donald Trump dhe përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, kur Trump u zgjodh.

Në bazë të këtij raporti, dalin qartësisht të dhëna se Rusia ndërhyri përmes dezinformacionit në zgjedhjet amerikane dhe ndikoi në to.

Ky, sipas Kalenskyt, “është raporti, i cili jep dëshminë më të qartë për gjithë faktorët e kërcënimeve hibride dhe është gur themel i komisioneve të ngjashme më tej në Evropë”.

Edhe Shqipëria “mundet fare mirë ta shfrytëzojë këtë përvojë për të maksimizuar efektin e Komisionit të Posaçëm”.

Në fund, trajton çështjen e mediave sociale, e cila lidhet me një debat më vete në fushën mediatike.

Ndryshe nga mediat tradicionale, filtrat janë më të paktë aty dhe kësisoj edhe hallka më të cenueshme nga aktorët, të cilët kërkojnë të përçojnë dezinformata në vende të caktuara.

A ka risk të shtuar mbi të gjitha, që në Shqipëri, lajmet e rreme të përhapura në Tik Tok apo Instagram, Facebook, Twitter, të jenë më të përhapura se në Perëndim?

“Ndoshta po”, na përgjigjet Kalensky. “Nga ana tjetër, ka ende shumë dezinformata edhe në hapësirën informative jashtë platformave, nuk do t’i bëja të vetmin aktor përgjegjës. Agresorët kryesorë të informacionit janë në Moskë dhe Pekin, jo në Silicon Valley”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore