Lajme

BE-ja ka një propozim për të zgjidhur situatën në Veri


Josep Borell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kanë për një propozim për të zgjidhur situatën në Veri.

Ai para nisjes së takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimi Evropian, u shpreh se propozimi i Bashkimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.

“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiç. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes”.

Borell ka thënë se për këtë arsyeje i është dashur t’u bëhet thirrje të dyja palëve.

“Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë dhe jemi duke kërkuar një zgjidhje”, tha ai.

Borrell, do të raportojë të hënën para Këshillit të Ministrave të BE-së për situatën në Veri të Kosovës.

Gjithashtu ai do të raportojë para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe për takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Paris.

Në takimet e Borell me Kurtin dhe Vuçiç-in, si zakonisht, ishte edhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Në takimin do të diskutohen edhe probleme të tjera të vendeve të rajonit, siç ka njoftuar një zyrtar i lartë evropian, do të diskutohet për “problemet serioze kushtetuese në Mal të Zi” si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se si vendi mund të përparojë në rrugën evropiane, veçanërisht pas rekomandimit të Komisionit Evropian që Sarajevës t’i jepet statusi i kandidatit.

Situata në Veri

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre.

Në anën tjetër të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Të njëjtit janë duke kundërshtuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Beogradi, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por institucionet e Kosovës  nuk heqin dorë nga vendimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore