Shqipëria

Balla për Metën: Mazhoranca nuk ka asnjë interes të marrë në dorë institucionin e Presidentit


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, në seancën e radhës të martën e 4 majit, foli për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

“Nuk dua të flas për procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Ka nisur një procedurë institucionale tashmë”.

Ai shtoi se mazhoranca nuk ka asnjë interes për të marrë në dorë institucionin e Presidentit.

“Ne duam të kemi një President që punon dhe mbron interesat e popullit shqiptar”.

Balla shtoi se Presidenti duhet të punojë me të gjitha forcat politike për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Nuk duam president që të jetë ditën president dhe natën kryetar shtabi elektoral të një partie”.

Ai për më tepër tha se Gjykata Kushtetuese do të përcaktojë fatin e Metës.

“Shqipëria meriton një hetim të plotë të sjelljes së Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore dhe natyrshëm që Kuvendi i Shqipërisë që është i pari në ndërthurjen institucionale që do të shprehet me votë”.

Po ashtu ai kërkoi nga palët politike që të pranojnë faktin se zgjedhjet e 25 prillit ishin legjitime.

“Shërbimi më i mirë që mund ti bëjmë shqiptarëve është të lexojmë me kujdes vullnetin e lirë të tyre. Rezultati i zgjedhjeve është ai që ka dalë nga kutitë e votimit”.

Duke shtuar se çdo lloj ankese dhe mospranimi nga palët duhet të paraqitet tek institucionet përkatëse.

“Mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve është një akt i pandershëm që dëmton interesat e Shqipërisë”.

Balla i bëri sërish thirrje Partisë Demokratike (PD) që të bashkëpunojnë së bashku.

“PD-ja të pranojë ftesën tonë të sinqertë që prej datës 9 shtator kur do të vihet në funksion parlamenti i ri të ndërmerren nisma të reja për një reforme të thellë politike. Kjo përfshin rolin e parlamentit si struktura më e rëndësishme në vend”.

Në përfundim Balla deklaroi se “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të ecur përpara drejt rrugës së integrimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore