Lajme

Bajrami: Krejt çka po kërkojmë është që ministri Murati t’i zbatoj ligjet


Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kjo parti ka vetëm një kusht.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se për këtë situatë fajtor është vetëm Qeveria për këtë.

“LDK/opozita ka një kusht të vetëm për votimin e këtyre marrëveshjeve: zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave, 37.5 milionë euro”.

“Krejt çka po kërkojmë është që ministri Murati t’i  zbatoj ligjet: Ligjin e Buxhetit, Ligjin për Menxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë,  Ligjin për Vetqeverisje Lokale dhe Amandamentin/Nenin në Ligj të Buxhetit të propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së, që ka kalu me 93 vota në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, në fund janë duke pësuar vetëm qytetarët e Kosovës.

“Qindra projekte kapitale nëpër komuna nuk mund as të iniciohen për shkak të kësaj bllokade, jemi në fund të Majit, humbje  e madhe për qytetarët e vendit”.

Përplasja e qeverisë dhe opozitës për të hyrat vetanake

Pushteti dhe opozita vazhdimisht janë përplasur për marrjen e të hyrave vetanake nga komunat.

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte sqaruar mënyrën se si funksionon ky ligj, kështu duke hedhur fajin tek opozita.

“Kjo çështje rregullohet me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësi, ku thuhet se të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës, bartën në vitin vijues”.

“Kjo gjë pastaj rregullohet edhe me nenin 9, paragrafi 6 të ligjit të buxhetit i cili e thotë të njëjtën gjë që të hyrat vetanake nga viti 2022 barten në vitin 2023 dhe kjo është në tërësi në përputhje me ligjin për menaxhimin e financave publike”, ka thënë Murati.

Ai tutje kishte deklaruar se ky ligj është miratuar edhe nga ana e deputetëve të Kosovës.

“Nëse ju kujtohet ka qenë pikërisht ky nen i cili është amandatuar nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është votuar edhe nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të thotë ka qenë një konsensus sa i përket atij amendamenti”.

“Pra, ne po zbatojmë ligjin të cilin e keni miratuar ju si Kuvend e pastaj nenin përkatës të cilin e ka amandatuar Lidhja Demokratike e Kosovës”.

Ndërsa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe atyre të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë deklaruar se do të bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës dhe nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare deri në lëshimin e të hyrave vetanake për komunat.

Murati: Opozita po bën propagandë

Në anën tjetër, në njoftimin se Qeveria e Kosovës ka ndarë 742 milionë euro për komunat për vitin 2024, ministri Hekuran Murati, gjithë situatën me ndaljen e të hyrave vetanake e ka trajtuar si një propagandë të opozitës dhe jo problem real.

“Sot në Komisionin për Grante, nën kryesimin e Kryeministrit Kurti, miratuam ndarjen e granteve komunale që rezulton me një buxhet komunal prej 742 milionë euro për vitin 2024.

Kur kemi marrë qeverisjen në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat ishte 546 milionë euro.

Pra, kemi gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komunat me Qeverinë Kurti”, deklaroi Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore