Lajme

Arrestohet një mjek në QKUK- dyshohet për marrje ryshfeti


Ilustrim

Një mjek është arrestuar mëngjesin e së martës në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i dyshuar për marrje ryshfeti.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) përmes një përgjigje me shkrim ka konfirmuar për Albanian Post se i arrestuari është mjek specialist-ortoped.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju konfirmon se, sot, rreth orës 9:00, në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është arrestuar një mjek specialist- ortoped”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit ka ndalur për 48 orë personin me inicialet S.S., mjek në ShSKUK, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime në mënyrë urgjente, duke autorizuar policinë për zbatimin e tyre, me aprovim të gjykatës kompetente, ashtu që ka lëshuar urdhëresë të përkohshme për zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, si dhe simulimin e veprës penale, i cili është kryer me dhënien e mjeteve monetare të dyshuarit, me ç’rast ka rezultuar deri te arrestimi i tij në flagrancë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Bëhet e ditur se “Personi i lartcekur, dyshohet se e ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, me qëllim t’i kryej vlerësimin e shkallës së invaliditetit të dëmtuarit”.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pranë gjykatës kompetente”, thuhet tutje në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore