Lajme

Arrestime të shtetasve të huaj nga luftëtarët e Tigray-t


Në Etiopi, qytetarët amerikanë dhe britanikë janë përfshirë në paraburgimet masive të tigrayanëve etnikë nën një gjendje të re të jashtëzakonshme në luftën e përshkallëzuar në vend.

E përditshmja “The Guardian” tregon se në kryeqytetin Addis Abeba dhe ngado, mijëra tigrayanë janë arrestuar mes frikës për shumë më tepër ndalime të tilla pasi autoritetet urdhëruan pronarët të regjistrojnë identitetin e qiramarrësve në polici.

Në disa rrugë janë parë burra të armatosur me shkopinj teksa grupet vullnetare kërkonin tigrayanë për t’i raportuar.

Sipas qeverisë etiopiane, po arrestohen njerëz të dyshuar se mbështesin forcat nga rajoni Tigray, të cilët po i afrohen kryeqytetit pas një lufte njëvjeçare me forcat etiopiane.

Kjo e fundit është shkaktuar nga një përplasje politike.

Mirëpo, grupet e të drejtave të njeriut, avokatët, të afërmit dhe komisioni etiopian i të drejtave të njeriut i krijuar nga qeveria, kanë theksuar se ndalimet, përfshirë në to fëmijë dhe të moshuar, janë në bazë të përkatësisë etnike.

Vajza e një shtetasi britanik, Meron Kiros, ka treguar se babai i saj 55-vjeçar, Kiros Amdemariam Gebreab, kishte jetuar në Britaninë e Madhe për më shumë se një çerek shekulli dhe ishte duke vizituar Etiopinë për të punuar në studimet e tij të doktoratës.

Por ai u ndalua në shtëpinë e tij në kryeqytet më 1 nëntor.

“Babai im nuk ka asnjë përfshirje politike në atë që ka ndodhur”, ka thënë ajo, duke shtuar se familjes nuk i ishte lejuar asnjë komunikim me të, gjë që e cilësoi si zemërthyese.

Nga ana tjetër, qeveria britanike ka deklaruar se e kishte ngritur çështjen e tij te autoritetet etiopiane.

Përpos kësaj edhe dy shtetas amerikanë ishin në mesin e tigrayanëve të arrestuar. Ata, një hotelier dhe djali i tij u ndaluan në shtëpinë e tyre më 2 nëntor, mbrëmjen e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Oficerët e policisë i akuzuan ata për mbështetje të forcave Tigray. Babai, rreth të 70-ave, u lirua pas tre ditësh, por djali mbetet në paraburgim.

Ndërkaq, shkruan “The Guardian”, shumica dërrmuese e tigrayanëve të arrestuar kanë qenë vendas, disa prej tyre të profilit të lartë.

Mes tyre edhe shefi ekzekutiv i Lion Bank, i cili u arrestua së bashku me shtatë kolegë të tij dhe një klient. Ata u mbajtën në një stacion policie përpara se të liroheshin vonë në mbrëmje, ka treguar avokati.

Kurse një zyrtar i kishës ortodokse etiopiane në Addis Abeba ka konfirmuar gjatë kësaj jave se dhjetëra priftërinj, murgj dhe të tjerë ishin arrestuar për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Jeylan Abdi, zëdhënësi i policisë federale, ka thënë se nuk e dinte numrin e personave të ndaluar që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Megjithatë, ka treguar se të arrestuarit mbaheshin në stacione të ndryshme policore dhe numri i përgjithshëm nuk ishte numëruar.

Gjithashtu i ka cilësuar si “propagandë” pretendimet se ndalimet ishin të motivuara etnikisht dhe ka treguar se në kontrollet ndaj tyre u gjetën armë.

Në luftën e Etiopisë, mijëra njerëz janë vrarë, kurse miliona njerëz në Tigray mbeten nën një bllokadë qeveritare dhe qindra mijëra të tjerë në rajonin e Amharasë janë zhvendosur teksa luftëtarët Tigray vazhdojnë.

Ditët e fundit, të dërguarit nga Bashkimi Afrikan dhe SHBA-të zhvilluan diskutime urgjente në kërkim të një armëpushimi të menjëhershëm dhe një rrugë drejt bisedimeve.

Mirëpo, palët ndërluftuese treguan se kjo nuk do të ishte e lehtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore