Shqipëria

Apeli i Posaçëm rrëzon ankimin për lirim të Ramazan Rrajës


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk pranoi të mërkurën e 17 majit ankimin e Ramazan Rrajës i cili kishte kërkuar lirimin përmes avokatit të tij mbrojtës Elton Hyseni.

Lajmi u bë i ditur nga GJKKO-ja, duke cituar njoftimin për shtyp.

“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari R.Rr. dhe mbrojtësi i tij av. Elton Hyseni ndaj disponimeve nr. 89 akti, datë 20.11.2022 dhe nr. 37 akti, datë 20.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Kujtojmë që Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja u arrestua më 19 prill në Urën e Gjolës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata ka caktuar ndaj tij është masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.

Gjithashtu, gjykata në Belgjikë dënoi gjatë muajit shkurt me 12 vite burg Rrajën.

Hetuesit belgë përgjuan Rrajën teksa fliste me një person tjetër për kontejner me banane ku kishte drogë.

Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e cilësoi grupin si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

Sipas dosjes së prokurorisë belge, banda trafikonte kokainë nëpërmjet Antwerp-it dhe më pas e shpërndante në të gjithë Evropën Perëndimore si dhe në Turqi e deri në Australi.

Gjithashtu, kjo organizatë kriminale kryente pastrimin e parave përmes një zinxhiri restorantesh në shuma që arrinin deri në 11 milionë euro.

Sipas prokurorisë belge biznesmeni letonez, bashkëpunëtori i Rrajës, në nëntë muaj kishte udhëtuar në 14 vende, kryesisht brenda Evropës, por edhe në Kolumbi, Ekuador si edhe Republikën Domenikane.

Ndërsa gjatë muajit janar, Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi një urdhër arresti ndaj tij.

Më 15 nëntor të vitit të kaluar, Rraja u mor në pyetje mbi masakrën e Fushë-Krujës, ku i vrarë mbeti Brilant Martinaj.

Rraja akuzohet po ashtu për atentatin e kryer ndaj prokurorit Arjan Ndoj më 1 tetor të vitit 2019, ku i vrarë mbeti shoferi i tij, Andi Maloku.

Ai është një emër i njohur për botën e krimit, pasi është i lakuar në radhët e Policisë, si i arrestuar më parë nën akuzën e të qenit pjesë e një grupi kriminal në Belgjikë.

Ndërsa, pasi u lirua nga qelia në maj 2021, ai akuzohet edhe për përfshirje në masakrën e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë tre shtetas, mes të cilëve edhe shtetasi Brilant Martinaj.

Rraja i ka mohuar gjithnjë këto akuza dhe ka theksuar se nuk ka gisht në atë ngjarje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore