Lajme

Anglezët ende skeptikë për makinat elektrike


Në Mbretërinë e Bashkuar, shefja e Ford-it ka deklaruar se konsumatorët janë ende skeptikë në lidhje me makinat elektrike dhe kalimi nga nafta dhe benzina mbetet “një sfidë e vërtetë”.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se Lisa Brankin ka thënë se do të nevojitej më shumë mbështetje e qeverisë për tregun e makinave elektrike përpara një ndalimi të propozuar të shitjeve të reja të makinave me naftë dhe benzinë para vitit 2030.

Ndërkohë, kërkimet e kryera nga rregullatori i energjisë, Ofgem, sugjerojnë se 6.5 milionë e familjeve planifikojnë të blejnë makina elektrike deri në vitin 2030.

Mirëpo, numri i makinave elektrike në përdorim në këto momente mbetet ende i ulët.

Në Mbretërinë e Bashkuar, hulumtimet e kryera nga Shoqëria e prodhuesve dhe Tregtarëve të Motorëve kanë zbuluar se makinat elektrike përbëjnë pak më shumë se 1 për qind të 35 milionë automjeteve që gjendet nëpër rrugë.

As rritja nuk anashkalohet. Kjo pasi gjatë vitit të kaluar ka pasur një dyfishim të shitjeve të makinave elektrike. Gjithashtu edhe modelet hibride plug-in janë rritur me më shumë se një të tretën e shijeve.

Megjithatë, Brankin ka treguar se shumë klientë janë skeptikë për blerjen e një makine elektrike. Dhe Ford-i, kompania ku ajo menaxhon, është prodhuesi kryesor në Mbretërinë e Bashkuar për sa i përket shitjeve të automjeteve.

“Ne kryem një studim duke parë qëndrimet e klientëve dhe pamë se pak më shumë se 10 për qind e klientëve po konsideronin në mënyrë aktive një automjet elektrik me bateri si blerjen e tyre të ardhshme”, ka thënë Brankin.

Ajo ka shtuar se “shumica e njerëzve të tjerë ishin ende të shqetësuar për një sërë gjërash, diapazoni, infrastruktura e tarifimit, mungesa e informacionit në dispozicion të klientëve dhe padyshim edhe çmimi”.

Lidhur me koston e një automjeti elektrik, shefja e Ford-it tha se “ne e pranojmë se kjo është një çështje dhe kjo është arsyeja pse ne i kemi bërë thirrje qeverisë që të vazhdojë të mbështesë të gjithë gamën e automjeteve elektrike me bateri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore