Lajme

Ambasada amerikane: Përjetësisht mirënjohës Kosovës për angazhimin në luftën kundër terrorizmit


Ambasada Amerikane në Kosovë.

Në Kosovë, të shtunën janë shënuar disa aktivitete në përkujtim të sulmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me sulmet e 11 shtatorit në SHBA është deklaruar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, duke thënë se SHBA-të mbeten përjetësisht mirënjohëse ndaj Kosovës dhe partnerëve të tjerë të angazhuar në luftën kundër terrorizmit.

“Duke kujtuar ata që humben jetën dhe nderuar ata që iu përgjigjen urgjencës për ndihmë, SHBA-të mbesin përjetësisht falënderuese ndaj Kosovës dhe vendeve tjera partner kundër terrorizimit dhe janë përkushtuar të mbajnë vendet tona të sigurta”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Facebook.

Po ashtu, theksohet që 20 vite më parë terroristët kryen vrasje të shumta në SHBA.

“20 vjet më parë, terroristët vranë afër 3 mijë burra, gra dhe fëmijë, nga 90 vende të ndryshme në një sulm të paprecedente në tokën amerikane”.

Ndërsa, në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit në SHBA, Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me ushtrinë amerikane kanë mbajtur marshin e përbashkët.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj duke thënë se me kombin dhe ushtrinë amerikane do të ndajnë gjithmonë, edhe dhembjen edhe krenarinë.

“Regjimenti i Parë i Këmbësorisë së FSK-së së bashku me Brigadën e 86-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane në marshim të përbashkët kondicional në përkujtim dhe nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001, me kombin dhe ushtrinë amerikane do të ndajmë gjithmonë, edhe dhembjen edhe krenarinë”.

Regjimenti i Parë i Këmbësorisë së FSK-së së bashku me Brigadën e 86-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane

Mehaj shtoi se “Së bashku jemi më të fortë!”.

Më 11 shtator 2001, e gjithë bota u trondite nga një sulm terrorist që goditi zemrën e SHBA-ve – World Trade Center.

Me autorësinë e marrë nga Osama bin Laden, kreu i al-Qaeda-s, amerikanët do të nisnin një mësymje në Afganistan, e cila do të zgjaste 20 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore