Aplikacione

Amazon-i heq përgjegjësinë nga produktet e shitura


Kompania teknologjike, Amazon, i ka thënë Gjykatës Supreme të Texas-it se nuk është normale të pritet që kompania të kontrollojë produktet e shitura në platformë duke argumentuar se nuk është përgjegjëse nëse produktet e shitura shkaktojnë dëme për konsumatorët.

E përditshmja, Financial Times, zbulon se gjykata do të përcaktojë nëse Amazon-i duhet të konsiderohet përgjegjës për shkak të gjendjes së rënduar të një fëmije 19 muajsh që gëlltiti një bateri litiumi të një telekomande të shitur nga një shitës kinez në platformë.

Kjo pasi paditësit kanë argumentuar se nuk janë përmbushur standardet e sigurisë së industrisë.

Mirëpo, kompania ka bërë me dije se është në rolin e ndërmjetësueses së miliona shitësve të palëve të treta dhe konsumatorëve që blejnë produktet e tyre. Por, kjo mbrojtje po tendoset dita-ditës.

Këtë e kanë vërtetuar edhe rastet e humbura në gjykatë ku është vendosur që Amazon-i të mbajë përgjegjësi për dëmtimet e shkaktuara nga produktet e blera në dyqanin digjital të saj. Ngjashëm si më shitësit që shesin me pakicë.

Sipas Financial Times, numri në rritje i shitësve që i bashkohen kompanisë shkon paralel me proceset gjyqësore mbi sigurinë dhe fajësinë. Dhe “fati” i çështjeve gjyqësore mund të ketë pasoja të rëndësishme për mënyrën se si Amazon-i drejton tregun e saj fitimprurës.

Lidhur me telekomandën, ajo ishte shitur nga një palë e tretë e renditur në Amazon si “USA Shopping” i vendosur më vonë për të qenë një entitet kinez nën identifikimin “Hu Xi Jie” me qendër në Shenzhen.

Gjatë seancës, në përgjigje ndaj pyetjeve mbi rolin e kompanisë në sigurimin e produkteve, avokati i Amazon-it, Brendan Murphy, ka thënë se vetingu paraprak i produkteve të shitura përmes dyqanit të aplikacioneve, nuk ishte “realist”.

Në argumentimin e Amazon-it, përgjegjësia mbi sigurinë e produkteve nuk qëndron mbi të. Kjo pasi përgjegjësia e kompanisë në këtë rast është e kufizuar sepse është shitësi i palës së tretë që ka vendosur çmimin e artikullit, kishte shkruar përshkrimin e tij dhe kishte ofruar atë për shitje.

Pritet që gjykata ta marrë vendimin deri në muajin qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore