Kosova

Aliu: Kemi qenë kundër Gjykatës Speciale, kishim të drejtë – vendimi ndaj Mustafës i pamerituar


Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Aliu dënimin ndaj Mustafës e ka quajtur “të pamerituar”.

“Sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurse, ka theksuar se aktualisht po dëshmohet se kundërshtimi i themelimit të Gjykatës Speciale, ishte i drejtë.

“Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë”.

Salih Mustafa.

“Lavdi luftës së pastër e të shenjtë të UÇK-së. Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant Calin!”, ka shkruar Aliu.

Edhe, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në konferencë për media është pyetur për dënimin ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.

Ajo pas mbledhjes së kryesisë theksoi se ka qenë partia e vetme që nuk e ka përkrahur vendimin për formimin e Gjykatës.

“Në fakt atë lajme e pash sa ishim në mbledhjen të Kryesisë. Qëndrimi i VV-së në raport me Gjykatën është i ditur, është konsideruar si vendim i gabuara nuk e ka mbështet këtë vendim”, deklaroi ajo.

Sipas Kusari-Lilës pasojat e vendimit do t’i bartë Kosova.

“Fatkeqësisht ka qenë grupi i vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur. Pjesa tjetër janë pasojat e një veprim që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, pasojat po i bartin të tjerët dhe do t’i bartë edhe vendi”.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Absurditeti i Speciales: Salih Mustafa u dënua më shumë se sa të gjithë kriminelët serbë të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore