Absurditeti i Speciales: Salih Mustafa u dënua më shumë se sa të gjithë kriminelët serbë të luftës
Sipas organizatës joqeveritare Fondi për Të Drejtën Humanitare, si pasojë e luftës në Kosovë kanë vdekur 13 mijë e 535 persona, janë dhunuar rreth 20 mijë gra dhe ende mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Janë dëbuar afër 1 milion njerëz dhe dëmet e luftës vlerësohen disa miliarda.
Për të gjitha këto nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviç’it për Kosovë, Nikola Shainoviç ishte dënuar me 22 vjet burgim.
13 vjet më vonë nga dënimi i Shainoviç-it, në të njëjtin qytet, por në një tjetër gjykatë, atë Speciale të Kosovës, Salih Mustafa, ish-komandant i UÇK-së, u dënua me 26 vjet heqje lirie për “torturë, ndalim arbitrar” dhe për “një vrasje të paligjshme”.
Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali, u dënua 4 vjet më shumë se Shainoviç, bashkë-përgjegjësi për 13 mijë e 535 vrasje dhe 20 mijë dhunime.
Shainoviç ishte zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe përfaqësues i Millosheviç-it për Kosovë gjatë kohës së luftës. Gjithçka që kishte ndodhur në luftë rëndonte edhe mbi Shainoviç-in. Pas apelit, dënimi iu zvogëlua në vetëm 18 vjet dhe pasi mbajti dy të tretat e dënimit u lirua fare për sjellje të mirë. Përfundimisht, 12 vjet burgim për mbi 13 mijë të vrarë.
Rasti i Shainoviç-it nuk përbën një përjashtim rregulli nga të dënuarit e tjerë serbë për “krime lufte” dhe krime “kundër njerëzimit”. Të gjithë të akuzuarit nga tribunali ndërkombëtar, janë dënuar shumë më pak, se sa që u dënua Mustafa për një vrasje të paligjshme, si akuza më e rëndë.
Dragoljub Ojdaniç, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, mori vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra për të cilat akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Kolegu i tij, Komandanti i forcave të ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë, Vladimir Lazareviç, u dënua edhe më pak.
Koloneli-gjeneral përgjegjës për kryerjen e krimeve nga ushtria serbe në Kosovë, mori vetëm 14 vjet burgim.
Gjithçka që ndodhte gjatë luftës në Kosovë ishte ose e mbikëqyrur, ose e planifikuar nga vetë Lazareviç, thoshte akuza për të në Tribunalin në Hagë.
Edhe përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga policia e Serbisë në Kosovë, Sreten Lukiç, nuk kishte marrë më shumë se 20 vjet dënim nga Tribunali Ndërkombëtar.
Lukiç, në kohën e luftës, ishte Shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it) për Kosovë.
Ai ishte dënuar për krime luftë, thyerje të ligjeve të luftës, planifikime të shpopullimit masiv të Kosovës, persekutime në baza politike, kombëtare e religjioze, vrasje dhe organizime të tjera si grup kriminal.
Prapë, të gjitha këto vepra i kishin dhënë Lukiç-it një dënim prej 20 vjetësh, 6 më pak se sa u dënua nga Gjykata Speciale Salih Mustafa.
Mustafa, u shpallë fjator në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.
Ai u cilësua i pafajshëm vetëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.
Duke qenë se Mustafa u shpallë fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar fillimisht nga një dënim për vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.
E më pas Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet heqje lirie.
“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrarë, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.
Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.
Për çka akuzohej Salih Mustafa?
Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohej për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.
Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishtë konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.
Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Haradinaj: Kurti me politikën e tij të “showbiz”-it e bëri Serbinë partner më serioz të aleatët tanë
-
“A jemi edhe ne në Kosovë”, një qytetari shqiptar nga Veriu i shkon fatura e rrymës në cirilikë
-
Propaganda e Vuçiç-it: Qeveria e Kosovës ndjek një ideologji “anarkiste-marksiste-hoxhiste”
-
Edhe Osmani ngushëllon familjen e Gerti Bogdanit: E mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion
Lajmet kryesore
-
Sigurim shëndetësor dhe jetësor për policët – as këtë premtim s’e mbajti Albin Kurti
-
Anëtarësimi në SEPA, Sejko: Po punojmë me ekspertët e Bankës Botërore
-
Zbulohet lufta në hije e Rusisë kundër Izraelit: Nxit pakënaqësinë arabe, tensionon marrëdhëniet me jashtë
-
Krasniqi paralajmëron mbylljen e komunave paralele në Graçanicë e Skenderaj: S’ka vend për institucione të Serbisë