Shqipëria

Albright: Mirënjohje ndaj Shqipërisë dhe Kosovës për strehimin e afganëve


Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albriht, me anë të një postimi në median sociale Twitter, ka reaguar për situatën e krijuar në Afganistan javët e fundit.

Nga aty Albright ka shprehur mirënjohjen e saj për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Kanadanë, të cilat kanë pranuar të strehojnë afganët pasi vendi ra në duart e talebanëve.

Ish-sekretarja amerikane ka shkruar se “shpreson dhe pret” që vende të tjera të ndjekin të njëjtin shembull.

“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po punojnë për të evakuuar ata që janë në rrezik nga talebanët, unë jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë,  veçanërisht grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë”, ka shkruar Albright në postimin e saj.

Albright është gruaja e parë që shërbeu në rolin e Sekretarit të Shtetit.

Ajo është nderuar me “Urdhrin e Lirisë” në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës.

Madeleine Albright, ishte në postin e sekretares nga 23 janari i vitit 1997 deri më 20 janar të vitit 2010.

Strehimi i afganëve në Shqipëri

Lajmin për strehimin e afganëve në Shqipëri e konfirmoi vetë kryeministri, Edi Rama.

Rama ka rikujtuar edhe strehimin që iu bë muxhahedinëve në Shqipëri, me kërkesë të SHBA-ve. Mbi 2 mijë prej tyre gjetën strehim në Shqipëri, në atë që Rama e cilëson si një ngjarje që “vetëm nder i bën Shqipërisë”.

“Në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani”. Kështu i është referuar Rama situatës në Afganistan.

“Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës”.

Në përmbyllje, ai e fakton se SHBA-të i kanë kërkuar Shqipërisë ta vlerësojë ndihmën që mund të japë me strehimin e afganëve. Kjo gjithsesi, si një procedurë tranziti, me destinacion të fundit Amerikën.

Ndërsa, për ata të cilët nuk janë dakord, thirrja e kryeministrit është e qartë: “Kjo nuk e ndryshon qëndrimin tim e të shumicës qeverisëse në emër të Shqipërisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore