Sport

Agjenti i Smalling-ut ndodhet në Romë, nisin bisedimet për kontratën e re


Agjenti i Chris Smalling, James Featherstone, ka mbërritur në Romë për të diskutuar një zgjatje të kontratës me klubin kryeqytetas.

Marrëveshja aktuale e Smalling skadon në qershor dhe Roma nuk dëshiron të ndahet me ish-qendërmbrojtësin e Manchester United, i cili është lidhur me një transferim të lirë në Inter ose Juventus.

Sipas “Calciomercato”, agjenti i lojtarit mbërriti në Romë këtë mëngjes për të takuar drejtorët e klubit dhe për të diskutuar një zgjatje të kontratës për klientin e tij.

Smalling është i lumtur te Roma dhe dëshiron të vazhdojë në “Stadio Olimpico”.

Sipas raportimeve në Itali, ai nuk do të marrë në konsideratë ofertat nga klubet e tjera në Serie A dhe mund të joshet vetëm nga një ofertë nga Premier League.

Smalling aktualisht përfiton 3.8 milionë euro në sezon dhe Roma është e hapur t’i japë qendërmbrojtësit me përvojë një rritje të pagës nëse ai nënshkruan një marrëveshje dyvjeçare.

Mediumi i lartcekur shkruan që “Giallorossi” mund të ofrojë edhe një kontratë trevjeçare, por do të ulë pagën e tij në 3.2 milionë euro në sezon.

Kujtojmë që 33-vjeçari është pjesë e klubit italian që nga vera e vitit 2019, fillimisht u huazua nga Manchester United, pastaj një vit më vonë u ble për shumën e 15 milionë eurove.

Deri më tani, qendërmbrojtësi ka bërë 119 paraqitje me fanellën e Romës në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 10 gola.

Që nga ardhja e Jose Mourinho-s në krye të Romës, Smalling ka qenë një nga futbollistët kryesorë të trajnerit portugez. Andaj, zgjatja e kontratës me shumë mundësi do të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore