Lajme

Afrika e Jugut, ish-presidenti në prag të një arrestimi të mundshëm


Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma

Një dramë e paparë ligjore po mbërthen Afrikën e Jugut, pasi ish-presidenti Jacob Zuma i ka kërkuar gjykatës të tërheqë vendimin për ta arrestuar atë deri në mesnatë.

79- vjeçari, u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2018, pas nëntë vjetësh në pushtet.

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese e Afrikës së Jugut e dënoi atë me 15 muaj burg për shpërfillje të gjykatës. E gjitha erdhi pasi ai nuk mori pjesë në asnjë seancë ku po hetohej për korrupsion.

Është e paqartë se si do veprojë policia. Në teori, udhëheqësi veteran duhet të jetë në duart e autoriteteve të burgut deri në mesnatë me orën lokale. Kjo pasi ai ka refuzuar të vetëdorëzohet të dielën e 4 korrikut.

Por të martën avokatët e tij iu drejtuan Gjykatës së Lartë në Pietermaritzburg për të ndaluar arrestimin dhe gjykimi nuk do të merret deri në 11:30 me kohën lokale.

A do të lëvizë policia kundër Zumës apo jo?

Para seancës së të martës, avokatët e policisë i thanë Gjykatës Kushtetuese se do të ndalonin urdhrin e arrestit duke pasur parasysh “situatën unike të paraqitur nga zhvillimet dhe matrica ligjore e përfshirë”.

Kjo do të thotë se ata do të presin deri në një vendim tjetër për të ndaluar apo jo Zuma-n.

Sidoqoftë, të tjerët po theksojnë se urdhri i arrestit qëndron ende.

Ministri i Brendshëm, Bheki Cele, ka deklaruar për mediat se ai besonte se, “policia po hidhej nën autobus nga gjykatat e Afrikës së Jugut”. Si dhe ata kishin “ngatërruar” një gjykim “shumë të qartë” duke lejuar që ofertat ligjore të Zuma-s të vazhdonin.

I pyetur nëse ai vetë mund të ishte në telashe nëse nuk arrinte të zbatonte urdhrin e arrestit, Ministri u përgjigj se, “nuk jam i përgatitur të akuzohem për shpërfillje të gjykatës”.

Zëdhënësi i tij shtoi të mërkurën se, “nëse nuk dëgjojmë asgjë nga Gjykata Kushtetuese – të cilën nuk e kemi dëgjuar deri më tani – ne kemi afat deri në mesnatën për të ekzekutuar urdhrin”.

Mbështetësit zotohen të bllokojnë arrestimin

Megjithëse Zuma u detyrua të largohej nga detyra dhe nga partia e tij, në Kongresin Kombëtar Afrikan (ANC), ai mban një trup besnik të mbështetësve. Veçanërisht në provincën e tij të lindjes KwaZulu-Natal.

Afrika e Jugut nuk ka parë kurrë një ish-president të burgosur më parë. Ata janë të vendosur që njeriu dikur i quajtur “presidenti i Teflon”, i shquar për mënyrën e tij të të “mbijetuarit” të mos jetë i pari që arrestohet.

Të dielën, turmat formuan atë që ata e quajtën një mburojë njerëzore jashtë shtëpisë të Zuma-s.

Mungesa e ndërhyrjes policore bëri që shumë njerëz të pyesnin nëse ish-presidenti ishte mbi ligjin.

Kush është Jacob Zuma?

Zuma, një veteran i luftës kundër sundimit të pakicës së bardhë në Afrikën e Jugut i cili ishte burgosur për 10 vjet në ishullin Robben së bashku me Nelson Mandela, ka deklaruar se ai është i përgatitur të shkojë në burg.

Sidoqoftë, ai argumentoi se, “dërgimi im në burg gjatë kulmit të një pandemie, në moshën time, është e njëjtë me dënimin me vdekje”.

Ish-presidenti ka thënë vazhdimisht se ai është viktimë e një komploti politik. Ai ka dëshmuar vetëm një herë në hetimin e korrupsionit në atë që është bërë e njohur si “kapja e shtetit” – duke zhvendosur pasuritë e shtetit – duke refuzuar të paraqitej përsëri.

Në një çështje të veçantë ligjore, Zuma u deklarua i pafajshëm muajin e kaluar në një gjyq për korrupsion që përfshinte një marrëveshje armësh prej 5 miliardë dollarësh në vitin 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore