Kosova s’ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit – problem ndërhyrja e qeverisë në gjyqësor, vlerëson TI
Kosova nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare Transparency International (TI) për vitin 2023, derisa vendi i vogël ballkanik është radhitur në pozitën e 83-të në mesin e 180 vendeve që analizohen në raportin e përvjetshëm të kësaj organizate.
Për vlerësimin e 180 vendeve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. E gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, pra mbetet e njëjtë sikurse në vitin paraprak.
TI shpreh shqetësimin për mungesën e përparimit, duke thënë se lufta kundër korrupsionit ende nuk është në lartësinë e përparimit demokratik që shënoi Kosova në drejtim të zgjedhjeve të lira, derisa ngritet veçanërisht shqetësimi për ndërhyrjen e pushtetit në sistemin e drejtësisë kosovare.
“Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë e sistemit e drejtësisë, si për shembull ngritja e procesit të vetingut dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin e Prokurorisë, po ecin me një ritëm shumë të ngadaltë”, thuhet në raport.
Por çka është më shqetësuese është mungesa e vullnetit politik për të punuar në drejtim të pavarësisë së sistemit gjyqësor, ndërsa përmenden pengesat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ndaj komisionit hetimor mbi procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
“Më keq akoma, pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet ndër të tjera në raportin e TI-së.
Kosova e ndan pozitën e 83-të me vendet sikurse Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami, ndërsa në krahasim me gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sivjet renditet e treta në ranglistën botërore, pas Malit të Zi në vendin e 63-të dhe Maqedonisë së Veriut në vendin e 76-të.
Megjithatë qëndron më mirë se Shqipëria, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, në indeksin e përgjithshëm të TI-së mbi perceptimin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria radhitet në pozitën e 98-të, kurse Serbia në pozitën e 104-të. Bosnje-Hercegovina në pozitën 108.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Shtyhet mbledhja për fatin e kreut të KLP-së, Balla: Dua të dëgjohem
-
Opozita prapë me qëndrime të ndryshme për zgjedhjet e reja
-
Begaj uron Kosovën për marrjen e statusit të asociuar në Asamblesë Parlamentare të NATO-s
-
Osmani: Avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Paralamentare, garanci se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në botë
Lajmet kryesore
-
Kosova merr statusin e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë
-
Shtyhet seanca e Belerit në GJKKO
-
Thirrja nga Gaza: Në Rafah s’ka më shpëtim, po vdesim drejtpërdrejtë në televizione
-
Marrëveshja për emigracionin me Italinë është një dhe e vetme, siguron Rama