Lajme

9 shtëpi me 12 të vrarë nga anëtarët e familjes


12 persona në nëntë familje në Kosovë kanë mbetur të vdekur si pasojë e vrasjeve nga anëtarët e familjes së tyre gjatë vitit 2020.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës të dërguara për Albanian Post, pothuajse në çdo muaj të këtij viti një familje kosovare ka përjetuar krimin shkaktuar nga një anëtar i familjes.

Fillimviti i 2020-tës nisi me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Prizren.

Prokuroria Themelore në këtë qytet dhe policia pati bërë të ditur se vrasja u ekzekutua në banesën e dy viktimave S.H., dhe D.H., që dolën të jenë burrë e grua, ndërsa dorasi – djali i tyre.

“Në orën 10:25 policia rajonale ka pranuar informacione se në rrugën Jusuf Gërvalla në lagjen Ortakoll janë dy trupa që dyshohet se janë të pajetë”, kishte njoftuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Viti 2020 ishte fatal edhe për familjen Bllaca nga Komuna e Gjilanit, ku zyrtarja policore, Valdete Bllaca, la të vdekur dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj dhe më pas u vetëvra.

Kjo ngjarje ishte konfirmuar në një konferencë nga Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Rreth orës 13:00, nga një zyrtare policore janë vrarë katër persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje”, u tha në konferencë.

Vrasja e shumëfishtë u bë me anë të revoles e cila ishte armë zyrtare.

Në prill të vitit të kaluar u shënua një tjetër vrasje brenda familjes. Vëllai vrau vëllain. Vrasja këtë herë ndodhi në Rahovec.

Viktima, i ardhur nga Zvicra, ishte shpallur i zhdukur nga familja.

Pas dy muajve trupi i tij u gjet i djegur në oborrin e vëllait të tij, i cili më pas e pranoi se e ka kryer vrasjen me një armë dhe ka djegur trupin e pajetë.

Siç ishte bërë e ditur atëherë nga policia, vrasja dyshohet se ishte bërë “për motive me qëllim përfitimi”.

“Viktima ka pasur me vete një shumë të parave, i dyshuari ka qenë në dijeni për ato të holla dhe ky është motivi”, kishte deklaruar zëdhënësi i Policisë në Gjakovës, Lumni Graishta.

Po në prill të 2020-të, në një fshat të Gjakovës, daja kishte vrarë nipin 22 vjeçar.

Policia kishte njoftuar në atë kohë se “motivi i vrasjes ishte mosmarrëveshja e çastit midis viktimës D.Gj., dhe të dyshuarit D.P.”.

Vrasja ishte kryer me anë të një pushke gjuetie, thuhej në raportin e policisë.

Një tjetër mosmarrëveshje kishte rezultuar po ashtu me vrasje në muajin korrik.

Një shtetas i Shqipërisë, që po qëndronte si mysafir te halla e tij në familjen Mulaj, për arsye që akoma nuk janë bërë të qarta, kishte plagosur hallën dhe burrin e saj me thikë, derisa kryefamiljarin e familjes Mulaj e kishte lënë të vdekur.

Rastet e vrasjeve në Kosovë shtohen me ngjarjen e ndodhur në Komunën e Kamenicës, ku, përsëri, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare, u privua nga jeta një grua me inicialet S.M. E vrau burri i saj.

Mjeti që ishte përdorur gjatë vrasjes ka qenë “një shufër metalike me gjatësi rreth 73 cm”.

Në njoftimin zyrtar të Gjykatës Themelore në Gjilan për këtë rast tregohej se viktima së pari ishte goditur “në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas në anën e majtë të kokës”.

Goditjet në kokë kishin vazhduar deri në shkaktimin e një “plage te hapura në kokë dhe thyerje në anën e majtë të kafkës”.

Në po të njëjtin muaj u raportua edhe për një vrasje në familje. Këtë herë në Fushë Kosovë.

Ishte 20 korrik kur ndodhi vrasja. Atë e shkaktoi djali i viktimës. Arma ishte “një mjet i mprehtë”.

Një tjetër viktimë e vrasjes brenda familjes, është gjetur në banesën e saj pa shenja jete, në 10 gusht të 2020 në qytetin e Ferizajt.

83 vjeçarja është vrarë me thikë nga djali i saj 62 vjeçar për të cilin raportohej se “kishte probleme mendore”.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Prizren.

Në lagjen “Dardania” në këtë qytet djali kishte sulmuar babanë me thikë duke e lënë të vdekur.
Vrasësi ishte 30 vjeç, viktima 50.

E njëjtë për nga natyra, por shumë më e madhe për nga përmasa ishte ngjarja në Pozharan të Vitisë.

Një ditë para se të përfundonte viti, në Pozharan mbetën katër veta të vrarë. Dy djemtë dhe nëna u privuan nga jeta kur kryefamiljari i qëlloi për vdekje, derisa më pas mbyti vetën.

Njëjtë siç kishte përfunduar 2020, ka filluar 2021. Në Prishtinë, vetëm katër ditë më parë (të mërkurën) babai vrau djalin e tij. Rrethanat ende nuk janë bërë të qarta, ashtu siç ende nuk dihet as motivi i vrasjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore