Shqipëria

6 vatra zjarri aktive në të gjithë Shqipërinë, vijon operacioni në Fushë-Arrëz


Aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive.

Ky është bilanci i Ministrisë së Mbrojtjes (MM) në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate zyrtare ku ka bërë me dije gjendjen e vatrave të zjarrit.

Sipas ministrisë dy vatra janë shuar plotësisht, ndërsa një vatër mbetet e izoluar.

Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.

I izoluar është zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës.

“Sot”, bën me dije ministria, “ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij”.

Gjithashtu MM-ja ka njoftuar se ende vijon zjarri në Fushë-Arrëz, i cili ishte më problematiku mbrëmjen që lamë pas.

Në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.

Nga ana tjetër, në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar.

Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë.

Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.

Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër. Sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku.

Gjithashtu sipas deklaratës së MM-së, është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore