Shqipëria

“5 vjet nga Reforma në Drejtësi”, nis një epokë e re


“Le të hapet një epokë e re, ku shqiptarët të kenë besim, ku të kërkohet drejtësi”.

Kështu ka deklaruar ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në takimin mes përfaqësuesve të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve.

“5 vjet nga Reforma në Drejtësi: Konsolidimi i sistemit përmes Strategjisë së re Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025”, bëri së bashku ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Drejtësisë, si prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, dhe inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani.

Ministrja Gjonaj, në fjalën e saj, ka theksuar se Reforma në Drejtësi është në rrugën e duhur.

Ajo ka falënderuar faktorin ndërkombëtar, i cili, sipas saj, ka qenë një mbështetje e palëkundur e kësaj reforme.

“Është garantuar paanësia e sistemit të drejtësisë të pandikuar nga politika apo faktorë të jashtëm. Lufta ndaj korrupsionit po njeh një kurbë rritëse, duke shënuar me rezultate të prekshme dhe të mirëpritura”, tha ministrja.

Sipas Gjonajt, pastrimi i sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, si dhe rezultatet e SPAK-ut, janë domethënëse dhe shpresëdhënëse, që dëshmojnë se reforma do të rikthejë besimin në drejtësi.

Fjala e ndërkombëtarëve

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca, në fjalën e tij, fillimisht theksoi se është një mbledhje e rëndësishme që thërret reformimin e një sektori të rëndësishëm, si ai i drejtësisë.

Sipas tij, rruga e Shqipërisë drejt Evropës dhe Bashkimit Evropian kalon pikërisht nga implementimi jo i lehtë i këtyre reformave, për të ardhur deri në këtë moment të rëndësishëm ku gjendet.

Sidoqoftë, rruga që duhet të ndjekë Shqipëria, është ajo që ka nisur dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK) në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Soreca nënvizoi luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit, krimit në nivele të larta për t’i kthyer dinjitetin vendit.

“Implementimi ka vështirësi për të qenë gjithëpërfshirëse, por kompetenca dhe lidershipi janë ato që duhen për të arritur marrëveshjet e nevojshme dhe për të marrë këshillat e nevojshme që të ketë një reformë të mirëfilltë”, tha Soreca.

Sipas tij, është inkurajuese përfshirja në këtë panel e gjithë përfaqësuesve dhe krerëve të lartë të drejtësisë, pasi ne e kemi mbështetur Reformën në Drejtësi në të gjitha nivelet.

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane ka deklaruar se institucionet janë kthyer të jenë funksionale, duke sjellë shembullin e SPAK-ut.

“Ka pasur funksionarë të ndryshëm si gjyqtarë, që kanë rënë përballë ligjit”, solli në vëmendje Kim.

Kim thekson se “askush nuk është mbi ligjin”, një përdorim retorik i shpeshtë në takimet e saj mbi drejtësinë.

Më tej, ajo shtoi se titujt kryesorë të ditëve të fundit kanë qenë të mbushura me arrestime funksionarësh që kanë pasur lidhje me korrupsion apo me krime të tjera.

Lidhur me përfshirjen e aktorëve politikë në Shqipëri, ambasadorja Kim cilësoi se “disa kanë dashur që kjo të mos ndodhë, por shumica e duan ndryshimin”.

Sipas Kim, ky ndryshim është detyra e shqiptarëve dhe, jo e të huajve që të zhvillojnë dhe të implementojnë reformimin e sistemit të drejtësisë dhe funksionimin e gjykatave.

Takimi i fundit mes palëve

Të mërkurën e 7 korrikut, në ambientet e hotel “Plaza” u zhvillua konferenca “Mbi forcimin e drejtësisë penale” me krerët e lartë të drejtësisë në Shqipëri.

Mes pjesëmarrësve, në panel ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj e konsideroi sistemin e mëparshëm si të dështuar.

Për ministren, me ngritjen e institucioneve, duhen vendosur në themel standardet më të mira të një drejtësie të re.

Ambasadorja Kim theksoi ndërkaq se sistemi nuk është ende në majën e performancës së saj.

5 vite nga Reforma në Drejtësi

Do të ishte viti 2016, më 22 korrik, kur ajo do të miratohej me konsensus të plotë – 140 vota të kuvendarëve në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar.

Vetëm disa kohë pasi reforma hyri në fuqi, u ngritën edhe institucionet zyrtare.

Kuvendi miratoi një paketë ligjore, e cila mundësoi ngritjen e një strukture të re kushtetuese – Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në gusht të 2016-ës, ndryshimet kushtetuese i hapën rrugë këtij riorganizimi të drejtësisë.

Këshilli u krijua për t’i mbikëqyrur këto ndryshime dhe për të garantuar një funksionim më të mirë të Gjyqësorit në Shqipëri.

Reforma qëndronte në ngritjen e tre institucioneve të reja, Këshillin e emërimeve në Drejtësi, Tribunalin Disiplinor dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore