Lajme

365 milionë dollarë: Strategjia e Bankës Botërore synon krijimin e vendeve të punës në Kosovë


Banka Botërore

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore të martën diskutoi Kornizën e Re të Partneritetit me Vendin (KPV) për vitet fiskale 2023/2027, që do të mbështesë Kosovën të përshpejtojë konkurrueshmërinë për krijim më të madh të vendeve të punës dhe standarde më të mira të jetesës.

Strategjia e re përvijon prioritetet për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në Kosovë gjatë pesë viteve të ardhshme, të cilat do të kontribuojnë në efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik, më shumë vende pune formale në sektorin privat dhe rritje të qëndrueshmërisë mjedisore.

Më tej, bëhet e ditur se në bazë të programit të përgjithshëm të kësaj kornize, do të përfshihet edhe portofoli me 11 projekte aktive të financuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit dhe Fondet e Mirëbesimit, me gjithsej 365 milionë dollarë amerikanë.

“Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin për brezat e ardhshëm”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, shtoi drejtoresha Yu, transmeton Zyra e Bankës Botërore në Kosovë.

Kosova, sipas Bankës Botërore, gjatë dekadës së fundit, ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë. Megjithatë, përkundër një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta.

Hartimi i KPV-së u informua nga një sërë konsultimesh me gamë të gjerë të palëve me interes, siç janë qeveria, kuvendi, shoqëria civile, institutet dhe komuniteti akademik, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë zhvillimorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore