Lajme

ZRrE: Ata që shpenzojnë mbi 800 kw, janë përfituesit më të mëdhenj nga subvencionimi i propozuar nga qeveria


Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së Ymer Fejzullahu, ka dhënë sqarime se si pritet të bëhet llogaritja e çmimit të faturave me tarifat e reja për energjinë elektrike, pas vendimit të një dite më parë të bordit që shpenzuesit mbi 800 kë do të llogariten me çmimin e shtrenjtë të tarifës e cila kap shumën nga 12 dhe 6 euro.

“ZRrE ka paraqitur kalkulatorin ku secili konsumator në bazë të konsumit, mund t’i vendosin në A1 kilovatët që kanë shpenzuar gjatë ditës dhe në A2 kilovatët që kanë shpenzuar gjatë natës. Nëse supozojmë, ta zëmë 600 kwh ditën dhe 200 kwh natën, janë rreth 50 euro. Për konsumin mbi 800 kwh, 800 kwh e parë do të faturohen me tarifat ekzistuese, ndërsa diferenca, po supozojmë nëse i kemi 1000 kwh, diferenca prej 200 kwh orë do faturohet me tarifën 12 centë gjatë ditës dhe 6 centë gjatë natës”.

“Nëse i shpenzojn 801 kwh vetëm 1 kwh do të faturohet me tarifat e reja”, ka shpjeguar Fejzullahu.

Sipas tij, ata që shpenzojnë mbi 800 kw, janë përfituesit më të mëdhenj nga subvencionimi i propozuar nga qeveria.

Kjo siç thotë ai, sepse ata përfitojnë edhe në bllokun deri në 800kë, e njëkohësisht do të marrin zbritjen edhe për kilovatorë që shpenzojnë në bllokun mbi 800.

“100 për qind të konsumatorëve do të subvencionohen. Edhe konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 do të subvencionohen me 9 për qind. Të gjithë konsumatorët përfitojnë nga kjo zbritje. Bizneset do të kenë 0 rritje dhe konsumatorët deri në 800 kwh, zero rritje”.

“Edhe ata që konsumojnë mbi 800, prej 21 centë siç ka qenë propozimi do të faturohen me 12 centë dhe 6 centë siç është vendimi i sotëm i ZRrE”, ka shpjeguar tutje ai në Klan Kosova.

“Ata që shpenzojë mbi 800këh janë përfituesit më të mëdhenj nga ky subvencionim, për arsye se ata përfitojnë edhe në bllokun deri në 800, edhe mbi bllokun mbi 800. Që do të thotë përfituesit më të mëdhenj janë konsumatorët që konsumojnë mbi 800 kwh”, ka shtuar Fejzullahu.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Ndërsa të hënën, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në konferencë për media ka thënë se në muajin janar kanë vërejtur ndryshime esenciale në parashikimet që i kishin bërë, kur e kishin publikuar raportin konsultativ ku përfshihej propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Fejzullahu, ka theksuar se këto ndryshime do t’i publikojnë, ndërsa njoftoi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e tetë shkurtit të ZRRE-së.

Ymer Fejzullahu, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)

 

Ndryshe më një shkurt Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pati prezantuar disa nga komentet që dikasteri të cilën ai e drejton ka dërguar në drejtim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku njëra prej tyre është që ngritja e çmimit të energjisë elektrike të mos aplikohet për ata që shpenzojnë deri në 1 mijë kilovatë orë.

Kjo 1 mijë kilovatë orë sipas Muratit do të jetë i ndarë në 500 kilovatë orë gjatë ditës dhe 500 kilovatë orë gjatë natës.

Në anën tjetër, si ndëshkues dhe diskriminues e pati cilësuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritje të çmimit të rrymës në Kosovës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë dërguar komentet e tyre në ZRRE duke e kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës dhe duke e cilësuar antikushtetues.

ZRRE-ja propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Ndërsa më 29 janar qindra qytetarë kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore