Kosova

“Ndëshkues dhe diskriminues” – Osmani e kundërshton rritjen e çmimit të rrymës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Si ndëshkues dhe diskriminues e ka cilësuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritje të çmimit të rrymës në Kosovës.

Osmani në komentet e dërguara ZRRR-së potencon se 39 për qind e konsumatorëve shtëpiak do ta bartin barrën e shtrenjtimit të gjithmbarshëm të energjisë elektrike në vend.

“Struktura e propozuar tarifore nga ZRRE, e cila e vë pragun e konsumit në 600kWh/muaj (përtej këtij niveli të konsumit aplikohet rritja e çmimit të energjisë elektrike), rrezikon të jetë në kundërshtim të drejtpërdrejt me këtë objektiv”, theksohet në komentet e dërguara nga Presidentja Osmani. 

“Edhe përkundër faktit që propozohet që përqindje të caktuara të rritjes së çmimit të energjisë për secilën kategoritë të mbulohen nga subvencioni i qeverisë (duke përfshirë edhe grupin e konsumatorëve mbi 600kwh), struktura aktuale tarifore shihet si ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj vetëm një grupi të shoqërisë, përderisa përgjegjësia për rritjen e konsumit është e përbashkët”.

Osmani konsideron se rikthimi në tri bllok tarfia, siç ishte para vitit 2017, do të ishte një trajtim më korrekt ndaj konsumatorëve dhe se kjo do ta shpërndante në mënyrë më të barabartë rritjen e çmimit të rrymës.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

“Rrjedhimisht, ZPRK propozon që në strukturën tarifore aktualisht të propozuar nga ZRRE, mos të ketë vetëm një kufi të ndarjes në mes të konsumatorëve, por te shtohen dhe dy blloqe të reja”.

“Një strukturë e tillë tarifore do të ndihmonte që të bëhej dallimi në mes të konsumatorëve që me konsumin e energjisë elektrike mbulojnë nevojat më bazike, konsumatorëve të cilët paraqesin një ekonomi familjare me shpenzime mesatare, dhe konsumatorëve të cilët me raste të caktuara e shfrytëzojnë energjinë elektrike për nevoja të luksit”.

Presidentja ka kërkuar që edhe bizneset të përfshihet në skemën e re tarifore, të cilët sipas propozimit paraprak nga ZRRE-ja, nuk prekeshin nga shtrenjtimi i rrymës, pasi sipas saj do ta lehtësonte barrën për konsumatorët shtëpiakë.

“Me propozim të strukturës tarifore me tri blloqe, përkundër rritjes së çmimit të energjisë, rritja do të ishte dukshëm më e përballueshme për të gjithë, dhe në mënyrë të tillë, edhe shuma e subvencionit të ofruar nga Qeveria do të mund të përdorej për mbulimin e barrës së më shumë kategorive të konsumatorëve në mënyrë më të njëtrajtshme. Në të kundërtën, në rast të hezitimit të rikthimit në 3 blloqe tarifore, duhet të shqyrtohet mundësia e rritjes së pragut prej 600kWh/muaj”, thuhet në këtë propozim.

Ndryshe ZRRE-ja propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore