Lajme

Përparim Kryeziu: Përkundër përpjekjeve protesta nuk eskaloi


“Përkundër përpjekjeve për ta eskaluar protestën, ajo ishte paqësore”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, duke postuar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook.

“Për këtë i falënderojmë organet e rendit për profesionalizmin dhe durimin”.

Ai tha se Qeveria po angazhohet që të zbusin sa më shumë ndikimin e krizës globale të energjisë tek qytetarët.

“Gjithashtu i falënderojmë qytetarët për mbështetjen ndaj qeverisë, teksa po angazhohemi që të zbusim sa më shumë ndikimin tek ta të krizës globale energjetike”, tha ai.

Të shtunën është mbajtur protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërsa disa nga anëtarët e Partisë Socialdemokrate janë përplasur me Policinë e Kosovës.

Anëtarë të PSD-së kanë tentuar të mbajnë fjalimin para shkallëve të ndërtesës së Qeverisë, çka solli edhe përplasje mes Policisë dhe protestuesve.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është një frikacak dhe pikërisht pse është i tillë përbën një person të rrezikshëm që duhet ndalet, ka thënë Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrat, që ka organizuar protestën kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë.

Në një protestë me qytetarë të shumtë në numër ai ka falënderuar pjesëmarrësit, derisa është treguar i kujdesshëm duke e bërë të qartë disa herë se protesta s’ka motive partiake, por qytetare.

“Jemi mbledhur sot për një kauzë të përbashkët përkundër se i takojmë përkatësive të ndryshme”, ka hapur fjalimin e tij Molliqaj.

“Ju me këtë pjesëmarrje tregoni se jeni njerëz të lirë, nuk e delegoni lirinë, kur ajo pengohet, bëhet kauzë siç u bë sot”.

“Kryeministri aktual ka 10 vjet që ka folur për dëmet e privatizimit të distribucionit dhe kurrkush ma shumë se ky kryeministër nuk i ka bërë favor kësaj kompanie private. Brenda kësaj ndërtese është një ‘tuc’, një frikacak. Por, bash që është ‘tuc’ është i rrezikshëm”, deklaroi Molliqaj.

“Ky njeri s’ka as shokë as shoqe, ka veç instrumente që t’i përdorë e veç armiq për me i luftuar. Trimat kanë shok e shoqe, ‘tucat’ kanë instrumente. Problemi është që ky ‘tuci’ është kryeministër”.

“Ky tuc edhe pasi ka vendim të gjykatës nuk po guxon ta faturojë energjinë elektrike në Veri. Ky frikacak që ka ardhur për t’i luftuar oligarkët i ka marrë paret tona dhe i ka paguar kompanitë private. Ju merr atyre që kanë pak dhe ju jep atyre që kanë shumë”.

Por, Molliqaj në fund shtoi se “sa të ka qytetar aktivë propozimi për shtrenjtim nuk do të kalojë”.

Pas marshit që kanë bërë protestuesit janë vendosur tek objekti i Qeverisë së Kosovës, ku ka pasur ballafaqime me Policinë e Kosovës.

Kryetar i PSD-së, Dardan Molliqaj, u ka thënë policëve që nuk kanë nevojë të dalin jashtë, sepse ata thjesht duan të mbajnë fjalime.

“Kërkojmë që policët të futet brenda në objekt dhe ne do mbajmë fjalime dhe do të shkojmë në shtëpi”, ka thënë Molliqaj.

Hedhja e qirinjve dhe poqave elektrikë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

“Futni brenda”.

Molliqaj ka pyetur përse në protestën e para tri ditësh ishte e mundur që organizatori të flas në shkallë të objektit të qeverisë, derisa sot nuk po lejohet e njëjta.

Në përfundim të protestës, protestuesit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë gjuajtur qirinj dhe poqa elektrikë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Numr i madh i protestuesve

Ky veprim i protestuesve, është bërë në mënyrë simbolike, për të shprehur pakënaqësitë ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Pas këtij aksioni, protestuesit janë shpërndarë të qetë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore