Lajme

ZRRE: Shtrenjtohet rryma për konsumatorët që harxhojnë mbi 800kW


Bordi i ZRRE-së.
Me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, merr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Ndërsa të hënën, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në konferencë për media ka thënë se në muajin janar kanë vërejtur ndryshime esenciale në parashikimet që i kishin bërë, kur e kishin publikuar raportin konsultativ ku përfshihej propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Fejzullahu, ka theksuar se këto ndryshime do t’i publikojnë, ndërsa njoftoi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e tetë shkurtit të ZRRE-së.

Ymer Fejzullahu, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)

 

Ndryshe më një shkurt Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pati prezantuar disa nga komentet që dikasteri të cilën ai e drejton ka dërguar në drejtim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku njëra prej tyre është që ngritja e çmimit të energjisë elektrike të mos aplikohet për ata që shpenzojnë deri në 1 mijë kilovatë orë.

Kjo 1 mijë kilovatë orë sipas Muratit do të jetë i ndarë në 500 kilovatë orë gjatë ditës dhe 500 kilovatë orë gjatë natës.

Në anën tjetër, si ndëshkues dhe diskriminues e pati cilësuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritje të çmimit të rrymës në Kosovës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë dërguar komentet e tyre në ZRRE duke e kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës dhe duke e cilësuar antikushtetues.

ZRRE-ja propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Ndërsa më 29 janar qindra qytetarë kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore