Lajme

Zjarrfikësit protestojnë sot para qeverisë


Ilustrim: Zjarrfikësit

Zjarrfikësit e Kosovës do të mbajnë protestë këtë të enjte duke filluar nga ora 11:00, para objektit të qeverisë, për të shprehur kështu indinjatën e tyre të thellë me ekzekutivin e drejtuar nga Albin Kurti, i cili s’po i merr fare në konsideratë kërkesat e tyre.

Kjo protestë e zjarrfikëseve vjen pas paralajmërimit që e kishin bërë ditë më parë, dhe pas reagimit që i kishin bërë kryeministrit Kurti dhe institucioneve relevante, ku kishin thënë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

Ndër pikat kyçe të pakënaqësisë së tyre është vendimi i fundit i qeverisë për të kufizuar mjetet për rrezikshmëri në punë vetëm për Policinë e Kosovës, duke shpërfillur nevojat e zjarrfikësve. Kjo ndarje është thelbi i kundërshtimeve të tyre, pasi që kanë konsideruar se kjo ndarje është selektive.

Zjarrfikësit nuk janë të vetmit nga institucionet publike që po protestojnë për shkak të pakënaqësive të tyre në raport me ekzekutivin.

Lexo edhe këtë: Kurti ka “falënderime” për NjSI-në, por jo edhe plotësim kushtesh: Po iu blejmë pajisje

Më 1 nëntor, në shenjë frustrimi për qasjen e ekzekutivit në raport me kërkesat e tyre, kishte protestuar edhe Njësia Speciale Intervenuese (NjSI).

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë më 1 tetor.

Madje, ata kishin paralajmëruar edhe një protestë tjetër gjashtë ditë më vonë, por e njëjta ishte pezulluar, pasi që kishin marrë premtim nga Kurti për t’i pritur në takim – në të cilin kryeministri nuk kishte qenë i gatshëm për një zgjidhje kompromisi.

Ndërsa, më herët për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre kishin mbajtur grevë të gjitha institucionet publike arsimore, por ndaj tyre qeveria nuk kishte shprehur ndjeshmëri, duke mos i marrë fare në konsideratë kërkesat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore