Lajme

Zgjedhjet në SHBA: E vështirë të marrësh pjesë, e lehtë t’i manipulosh ato!


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë kaherë vendi simbol i demokracisë, i ëndërruar nga çdokush.

Një e ashtuquajtur “American Dream”, e cila prihet nga një e drejtë njerëzore themelore tepër me rëndësi – Aftësia për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur.

Por, disa ndryshime të fundit për sa i përket rregullave të votimit, kanë ngjallur debate të shumta në SHBA. Debate, të cilat po shtrohen edhe në nivel sondazhesh, në të 52 shtetet amerikane.

E vështirë të marrësh pjesë, e lehtë t’i manipulosh zgjedhjet

“Rregullat për të votuar, e bëjnë shumë të vështirë të shkosh të votosh”, pohojnë 45% e të anketuarve nga një sondazh i agjencisë së lajmeve, CNN.

Po aq – ose më saktë 46% e tyre – mendojnë se ajo çfarë është problematike në SHBA, është fakti se zgjedhjet janë lehtësisht të manipulueshme. Sistemi i votimeve, sipas tyre, e bën më të lehtë manipulimin e votave.

Në krahasim me muajin mars, ka një rritje të ndjeshme të këtyre pohimeve, nga 39% që ka qenë atëherë. Një rritje pesimizmi, e cila nuk është e papërfillshme.

Nëse do të futeshim në terma të ndasive partiake, statistikat janë edhe më interesante. Janë 76% e demokratëve, të cilët mendojnë se rregullat zgjedhore e bëjnë të vështirë të votosh.

Nga kampi republikan, janë 87% e tyre, të cilët mendojnë se rregullat nuk janë aq strikte sa të ndalojnë manipulimin e votimeve.

Kjo është një ndasi e radhës në SHBA dhe ato kanë qenë jo të pakta kohët e fundit.

Konsensusi midis palëve është shumë i ulët. Në SHBA në fakt, shqetësues, është fakti se ato si rrallë herë, po ndahen për shkak të qasjeve partiake.

Gjithsesi, një shenjë pozitive nga kampi republikan ka ardhur. Ata që mendojnë se presidenti Joe Biden ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, ka rënë nga 58% në 50%.

Gjithsesi, 70% e të djathtëve amerikanë, vazhdojnë të mendojnë se Biden nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u bërë president.

Një shenjë kjo, se ndasitë, do të vazhdojnë ende në një Amerikë të dyzuar politikisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore