Lajme

Zemaj e quan “paaftësi” involvimin e kryeministrit për të mbuluar dështimet në shëndetësi


Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, konsideron se shëndetësia është duke u përballur me problem shumë të mëdha e për të cilat ministri aktual, Rifat Latifi, as nuk është në dijeni.

Zemaj kritikoi edhe kryeministrin, Albin Kurti duke e quajtur të paaftë për t’u marrë me sektorin e shëndetësisë.

“Paaftësia qeverisëse, kapaciteti i vogël menaxherial, implikmi në pozita kyçe të militantëve politik të cilët nuk kanë përvojë menaxheriale është treguar që gjendja në shëndetësi është shumë e rënduar dhe pengesat që iu bëhen pacientëve, aparatura që nuk punojnë se qajnë kokën as ministri as Qeveria. Krejt çka bëjnë i detektojnë problemet dhe fare nuk merren me to”.

Sipas tij, mungesa e barnave esenciale dhe mungesa e materialit shpenzues kanë qenë probleme të njohura.

“Paaftësia për t’u marrë me sektorin e shëndetësisë dhe involvimi i kryeministrit për të mbuluar këto dështime përmes njerëzve të njëjtë dhe është vetëm shtyrje kohe në dëm të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo qasje është e dëmshme, këto veprime nuk derivojnë sukses. Targën e çmimit negativ po e paguajmë të gjithë ne edhe me këtë Qeveri dhe tretmanin çfarë po i bëhet sektorit të shëndetësisë”, ka deklaruar ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ndërsa, zgjidhje pati për listat e pritjes në rastet emergjente.

Ai gjatë intervistës për agjencinë e lajmeve, EkonomiaOnline, thekson se listat duhet të kategorizohen.

“Listat e pritjes duhet të sqarohen ose të kategorizohen. Shqetësimi im dhe i njerëzve është kur bëhen listat e pritjes së rasteve emergjente. Kjo është skandaloze. Por të pritet për raste emergjente të mos ketë anesteziolog të mjaftueshëm. Të ikin mjekët në sektorin privat për mos përkrahjen financiare ose mashtrimit se do të ketë ligj të pagave dhe karshi kësaj qasje ministri i Shëndetësisë është treguar i paaftë për t’u marr me këto probleme dhe në fund të fundit aspak i interesuar dhe mbështetjes për mjekë”.

Më 23 shtator, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një konferencë për media ka thënë se e ka vizionin e qartë për shëndetësi, por që duhet kohë për t’u realizuar.

“Ne kemi një vizion shumë të qartë se si duhet të duket sistemi i kujdesit shëndetësor në pesë deri në 10 vitet e ardhshme dhe si ne duhet të bëhemi pjesë e shëndetësisë botërore”.

“Qeveria e Kosovës siç thash më parë është plotësisht e përkushtuar siç është dëshmuar edhe me komisionin ekzekutiv të shëndetësisë të udhëheqjes nga kryeministri Kurti por në të njëjtën kohë ne po kërkojmë përmes diplomacisë mjekësore partneritet solid me Evropën dhe botën”.

Latifi, i pyetur nga gazetarët se përse nuk ka zgjidhje për problemet aktuale sërish është arsyetuar me faktin se problemet nuk janë krijuar në nëntor.

“Këto probleme nuk janë krijuar më 16 nëntor, kanë qenë qe disa vite dhe kanë me vazhdu për disa vite. Nëse ju gazetarët e dini një mënyrë që brenda natës ta ndryshoni sistemin shëndetësor, ejani urdhëroni. Duhet infrastrukturë. Duhet të keni durim sepse mjekësia nuk mund të bëhet brenda natës. Unë po them që prisni 5-10 vjet që të rregullohen gjërat që mjekësia jonë të bëhet pjesë e botës”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore