Lajme

Latifi: Vizionin e kam të qartë, por e kam 10 vjeçar


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në konferencë për media.

Edhe pse ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, është kritikuar shumë për udhëheqjen e tij në këtë dikaster ai pohon se ka një vizion të qartë se si duhet të jetë shëndetësia në Kosovë.

“Ne kemi një vizion shumë të qartë se si duhet të duket sistemi i kujdesit shëndetësor në pesë deri në 10 vitet e ardhshme dhe si ne duhet të bëhemi pjesë e shëndetësisë botërore”.

“Qeveria e Kosovës siç thash më parë është plotësisht e përkushtuar siç është dëshmuar edhe me komisionin ekzekutiv të shëndetësisë të udhëheqjes nga kryeministri Kurti por në të njëjtën kohë ne po kërkojmë përmes diplomacisë mjekësore partneritet solid me Evropën dhe botën”.

Ai në një konferencë për media me eurodeputetin Lukas Madl ka thënë se ka filluar punën e tij për të shërimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas tij, faji qëndron tek qeveritë e kaluara.

“Gjatë gjithë këtyre viteve një numër i qytetarëve kërkuan kujdes jashtë vendit dhe jashtë institucioneve publike për të cilat qeveria ndan një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare. Ky proces ka qenë i rregulluar dobët por ne planifikojmë ta rregullojmë atë dhe tashmë kemi filluar duke krijuar marrëdhënie me institucionet e jashtme që janë mjaft konkurrese edhe në ekspertizë edhe në çmime”, ka deklaruar Latifi.

Kreu i dikasterit të shëndetësisë ka theksuar edhe mungesën e mundësive të trajnimit.

“Mungesa e mundësive të trajnimit dhe financimit dhe hulumtimeve shkencore dedikuar institucioneve shëndetësore të Kosovës e kombinuar me keqmenaxhim ndër vite ka shkaktuar pabarazi të mëdha më të cilën po përballemi sot”.

Latifi, i pyetur nga gazetarët se përse nuk ka zgjidhje për problemet aktuale sërish është arsyetuar me faktin se problemet nuk janë krijuar në nëntor.

“Këto probleme nuk janë krijuar më 16 nëntor, kanë qenë qe disa vite dhe kanë me vazhdu për disa vite. Nëse ju gazetarët e dini një mënyrë që brenda natës ta ndryshoni sistemin shëndetësor, ejani urdhëroni. Duhet infrastrukturë. Duhet të keni durim sepse mjekësia nuk mund të bëhet brenda natës. Unë po them që prisni 5-10 vjet që të rregullohen gjërat që mjekësia jonë të bëhet pjesë e botës”, ka thënë ai.

Edhe në këtë konferencë përmendi shtatë shtyllat që synojnë përmirësimin e shëndetësisë në Kosovë.

“Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore, kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi, Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike”.

“Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese, proceset e akreditimit ndërkombëtar, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK”.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore “siguron grumbullimin efikas dhe transparent” të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Nga ky institucion kanë thënë se janë duke pranuar aplikimet si dhe është ndarë edhe buxheti për kërkesat e bëra për shërim jashtë vendit.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të jetë i dobët prej vitesh.

Ndërsa ministri aktual është kritikuar edhe për moqëndrimin e tij në Kosovë.

Misioni Rifat, dështoi me sukses

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore