Lajme

Zelensky i kërkon Irlandës që të bëjë presion ndaj BE-së për sanksione më të ashpra ruse


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij para parlamentin irlandez, deklaroi se Irlanda nuk ka qëndruar neutrale për katastrofën që i ka shkaktuar vendit të tij Rusia.

“Ju nuk kishit dyshime dhe filluat të na ndihmoni, filluat ta bëni këtë menjëherë. Por, megjithëse jeni një vend neutral, nuk keni qëndruar neutral ndaj katastrofës dhe fatkeqësive që Rusia i ka sjellë Ukrainës”.

Ai shtoi se i është mirënjohës çdo qytetari të Irlandës dhe për mbështetjen e vendit ndaj sanksioneve kundër Rusisë.

Ndër të tjera, Zelensky u kërkoi liderëve politikë të Irlandës që të përdorin ndikimin e tyre për të bindur vendet e tjera të BE-së që të vendosin sanksione edhe më të ashpra për të ndalur makinerinë ruse të luftës.

Presidenti vazhdoi duke thënë se ai nuk mund të tolerojë pavendosmërinë në sanksionet kundër Rusisë.

“Sot, kur e gjithë bota di për krimet kundër popullit tonë, ne ende duhet të bindim edhe disa nga kompanitë evropiane që të braktisin tregjet ruse, ne ende duhet të bindim Rusinë për politikanët e huaj se ne duhet të ndërpresim çdo lidhje të bankave globale me Bankat ruse”.

Presidenti ukrainas shtoi se “duhet të bindim Evropën se nafta ruse nuk mund të ushqejë makinerinë ushtarake ruse me burime të reja financimi”.

“Ata po shkatërrojnë gjërat që po mbështesin jetesën për njerëzit. Ata gjithashtu kanë bllokuar të gjitha portet tona detare, së bashku me mjetet lundruese që kishin tashmë mallra bujqësore për eksport. Ukraina është një nga vendet kryesore furnizuese me ushqime në botë me eksporte”.

Zelensky gjithashtu tha se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për gjithçka që ka bërë në Ukrainë. Ai deklaroi se në 42 ditë lufte janë vrarë të paktën 167 fëmijë.

“Ata kishin në shënjestër edhe kishat dhe strehimoret që ata e dinin me siguri se nuk ka askush tjetër përveç grave dhe fëmijëve. Ky është një fakt. Vendi që po e bën këtë nuk e meriton të jetë në rrethin e vendeve civile”.

Duke folur pas fjalimit historik, kryeministri irlandez Micheal Martin tha se është i sigurt se Ukraina do të mbizotërojë në luftën e saj me Rusinë.

“Ne jemi një vend ushtarakisht neutral. Megjithatë, nuk jemi politikisht neutralë përballë krimeve të luftës. Krejt e kundërta”.

Sipas tij, pozicioni i tyre është i informuar nga parimet që drejtojnë politikën e jashtme.

“Ne jemi me Ukrainën. Nevojat politike, ekonomike dhe humanitare të Ukrainës tani janë të shumëfishta dhe urgjente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore