Shqipëria

Xhaçka-Bucci, nënshkruhet marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit


Nënshkruhet marrëveshja “Mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi”, mëngjesin e ditës së enjte, më 18 mars, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, në Tiranë.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Nënshkrimi do të pasohet nga përfundimi i proceduarve të brendshme ligjore të secilës palë, deri në botimin në Fletoren Zyrtare.

Firmosja e marrëveshjes u lajmërua nga Xhaçka, gjatë takimit që ajo pati javën e kaluar në Romë, me homologun italian, Luigi Di Maio.

Gjatë atij takimi u konfirmua dakordësia për një prej marrëveshjeve me ndikim të madh te mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali.

“Janë pikërisht veprime konkrete si ky, edhe pse në dukje të vogla në skemën e madhe të diplomacisë, që kanë impaktin më konkret e të drejtpërdrejtë te qytetarët”, tha Xhaçka pas takimit, në Romë.​

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore